Google ADS

Zogiani: Taksa dhe ushtria nuk fshehin “maskarallëqet” e qeverisë, zgjedhjet të nevojshme

18:38 | 4 Prill 2019
Arbresh.info

Avni Zogiani i Lëvizjes Vetëvendosje ka shprehur bindjen se vendimi për taksën dhe ushtrinë nuk mund t’i fshehë “maskarallëqet” që qeveria aktuale i ka bërë gjatë gjithë kohës.

Ai në “Express Intervistën” në KTV ndër të tjera ka thënë se zgjedhjet në Kosovë do të duhej të mbaheshin shumë kohë më parë sepse, sipas tij, qeveria është e pafuqishme të marrë vendime.

“Zgjedhjet do të duhej të ndodhnin qysh moti. Kemi mbet me një qeveri që nuk i ka numrat dhe u duhet të bëjnë negociata me individë për t’i tejkaluar politikat e veta”, ka thënë Zogiani.

“Ne kemi thënë që nuk është gjithçka zi, sepse disa vendime janë marrë dhe i kemi vlerësuar, sidomos taksën dhe ushtrinë, mirëpo nuk mundet me u fsheh maskarallëku i kësaj qeverie përmes këtyre vendimeve. Ushtria donë investim, në vend se t’ia dhurojmë milionat Bechtel-Enkes ne do të duhej ta forconim ushtrinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, për rrëzimin e qeverisë mund të llogaritin tek LDK-ja por jo edhe tek PSD-ja, pasi që sipas tij kjo e fundit po i ofron votat e saj për rrëzim të qeverisë vetëm për demagogji.

“Fakti që jemi opozitë do të thotë se kemi një kërkesë të përbashkët, pra, rrëzimin e qeverisë. Këtë interes e ndan edhe LDK-ja, mirëpo nuk e ndaj këtë mendim edhe për PSD-në. PSD-ja e dinë që as opozita nuk i ka votat për rrëzim të qeverisë dhe po e i ofrojnë votat e tyre vetëm për demagogji”, u shpreh ai.

Zogiani ndër të tjera ka thënë se nuk ka iniciativë vendimtare për protestë sepse sipas tij kjo do të vendoset vetëm me vullnetin e qytetarëve.

“Vetëvendosje ka folur qysh moti për nj pranverë kosovare. Njëherë jemi në fazën e tubimeve në terren dhe nuk kemi datë për protestë, nuk ka ende iniciativë zyrtare për protestë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme