Zjarri në Drenas, Veselaj: Pasojat e kësaj ndotjeje mund të jenë afatgjate

23:42 | 12 Mars 2024
E.G

Një zjarr i jashtëzakonshëm përfshiu dje fabrikën e plastikës në qytetin e Drenasit. Edhe pas 37 orësh fabrika ka vazhduar të digjet e zjarrëfikësit vazhduan të jenë prezent në vend të ngjarjes.

Duke folur për këtë rast, Mustafë Gashi nga Agjensia per Menaxhimin e Emergjencave tha se ky ishte një prej zjarreve më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë. Ai tha se sipas procedurave të tyre të brendshme, gjithçka ka shkuar siç duhet por ky zjarr ka qenë shumë i madh dhe një situatë e tillë do t’i sfidonte edhe shtetet e tjera.

Gashi tha se nuk janë të kënaqur me kapacitetet që kanë. Sipas tij kanë problemet kryesore janë mungesa e buxhetit dhe kapitali njerëzor.

“Duhen investime të mëdha, por edhe për përsonelin kemi problem. Shumica e pajisjeve janë të vjetëruara e të dëmtuara. Investimet duhet vazhduar. Vlera e reaguesve të parë shihet në situata emergjente, e kur të kalojnë ato situata disi njerëzit harrojnë se këta heronjë ekzistojnë. Por për 2024 Ministria e Brendshme ka ndarë një shumë solide dhe shpresojmë se kemi fillu të avancojmë në këtë apeskt”, tha mes tjerash Gashi.

Ndërkohë Komandanti i Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli duke folur për menaxhimin e kësaj situate tha se masa plastike që ndodhet në këtë fabrikë bën që zjarri të mos lokalizohet lehtë.

“Te zjarret ku ka plastika uji nuk depërton në pjesët e fundshme, nën gërmadha. Por ne jemi në gjendje gatishmërie, gjithçka është nën kontroll dhe e rëndësishme është që nuk mund të përhaper zjarri në përmasa më të mëdha”, tha ai.

E duke folur për problemet që u përballen në rastin e këtij zjarri, Gjeli tha se furnizimi me ujë ishte shumë sfiduese sepse nuk ka hidrantë në shumë pika, sepse sipas tij çdo objekt duhet të ketë hidrant.

Në anën tjetër Zeqir Veselaj, profesor i ambientit foli për dëmet ekologjike që ka shkaktuar ky zjarr i madh. Ai tha se një aksident mjedisor mund të shndërrohet në një burim të madh të ndotjes së mjedisit.

“Gjithë ai zjarr dhe gjithë ai tym që është liruar ka qenë ndotje. Përmbajtja sintetike e plaktikës që ka me mijëra përbërës kimik brenda saj e bën të pamundur të përcaktohet se çka ndikon direkt në mjedis. Por ajo që dihet që tani është se nga djegia e plastikës shkaktohet një ndotje e madhe e ajrit, sepse lirohet një sasi e madhe e dioksit karbonit, efektin e të cilit nuk e ndjejmë ne tani por e ndjenë klima jonë. Përveç kësaj nga djegia e plastikës lirohen edhe substanca tjera, si thërrmiat e imëta të cilat janë ato që rrinë pezull në ajër dhe mbledhin ndotës të tjerë e të cilat do të depërtojnë në organet respiratore të atyre që e thithin ajrin përreth këtij vendi…”, deklaroi mes tjerash Veselaj.

Profesori Zeqir Veselaj gjithashtu tha se problemin më të madh në këtë rast e bën afërsia e saj me KEK-un dhe pasojat e kësaj ndotjeje mund të jenë afatgjate./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme