Zhvillimet në kufirin Kosovë-Serbi zënë vend edhe në mediet e botës

11:31 | 21 Shtator 2021
L G

Medie të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës. Ato kanë shkruar për dërgimin e policisë speciale në kufi dhe për protestat e serbëve kundër vendimin për reciprocitetin për targat.

Faqja e njohur e lajmeve, Sky News, ka shkruar se protestuesit i kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës, pasi autoritetet i ndaluan veturat me targa serbe, duke mos ua lejuar hyrjen në Kosovë.

“Policia në Jarinjë të Kosovës po i detyron vozitësit nga Serbia që t’i largojnë ose t’i mbulojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme, të cilat vlejnë 60 ditë e që kushtojnë pesë euro”, shkroi kjo faqe.

“Serbia, e cila e ka humbur kontrollin ndaj Kosovës më 1999, nuk e njeh Kosovën dhe ua ka ndaluar hyrjen veturave me targa të Kosovës”, raporton më tej ky medium, transmeton express.

“Gati 50.000 serbë, të cilët jetojnë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, refuzojnë që t’i njohin autoritetet e Prishtinës dhe posa kufizimet u futën në fuqi të hënën, veturat dhe kamionët i bllokuan rrugët në shenjë proteste”, shkruhet më tej.

Për zhvillimet në veri të Kosovës ka raportuar edhe agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, duke shkruar se serbët i kanë bllokuar rrugët për shkak të ndalimit të veturave me targa serbe.

Kjo agjenci gjithashtu ka shkruar për bisedimet mes Kosovës e Serbisë, duke raportuar se që nga fillimi i negociatave më 2013, është shënuar pak progres në këtë proces.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme