Zhvatja me ndërmarrjet publike | “Zëvendësimi i militantëve me militantë duhet të ndërpritet”

09:42 | 5 Gusht 2020
Arbresh Info

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur të martën më 4 gusht 2020, ka shkarkuar bordet e përkohshme të katër ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU “Prishtina”, Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër-Lepenc” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”.

Ekonomistët kritikojnë vendimin e Hotit, dhe sipas tyre zëvendësimi i militanteve politik me disa militant tjerë politik nga secila parti politike që vjen në pushtet është praktikë e dëmshme për ndërmarrjet publike dhe duhet të ndërpritet.

Gazetari që për një kohë të gjatë ka përcjellur fushën e ekonomisë, e specifikisht edhe zhvillimet nëpër ndërmarrjet publike, Zekirja Shabani, thotë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shkarkimet dhe zëvendësimin me anëtar të ri të bordeve të ndërmarrjeve publike është dëshmi se këto ndërmarrje vazhdojnë të mbesin interes politik.

Sipas tij, qeveria e tanishme po i kap ato në emër të de-politizimit.

“Për dallim nga qeverisja e kaluar e cila përmes shkarkimeve të kundërligjshme politizoi bordet e ndërmarrjeve publike, edhe kjo e tanishmja po i kap ato në emër të de-politizimit”, deklaron Shabani për arbresh.info.

Sipas tij, një praktikë e ngjashme vazhdon tash e 20 vite në Kosovë në dëm të vetë ndërmarrjeve.

“Zëvendësimi i militanteve politik me disa militant tjerë politik nga secila parti politike që vjen në pushtet është praktikë e dëmshme për ndërmarrjet publike dhe duhet të ndërpritet sa më parë që është e mundur”, vlerëson Shabani.

Ndërkaq sipas ekonomistit Mustafë Kadriaj, këto shkarkime të bëra në emër të mirë qeverisjes, po tingëllojnë si sjellje e nepotizmit dhe punësimeve partiake.

“Pra tani e tutje qytetari nuk do i sheh si alternativë LVV-në dhe LDK-në për faktin që ua dha mundësinë për të mire qeverisur, por këto e thyen shpresën dhe besimin e qytetarit”, është shprehur Kadriaj për arbresh.info.

Përveç ekspertëve të ekonomisë, vendimi i qeverisë për shkarkime të bordeve, i cilësua si skandalozë edhe nga shoqëria civile.

Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se këto shkarkime e emërime po bëhen vetëm për rehatinë partiake, pasi sipas tij ligji nuk parashikon borde të përkohshme në këto ndërmarrje.

“Ligji i ndërmarrjeve publike nuk parasheh borde të përkohshme. Vetëm kur ky ligj ka hyrë në fuqi janë paraparë borde të përkohshme në mënyrë që brenda gjashtë muajve të plotësohen me anëtarë të përhershëm. Ligji parasheh që anëtarët e bordeve të plotësohen me konkurse publike ku do të zgjidhen njerëz profesionistë të fushës. Ndërsa ajo që po shohim ne është se çdo qeveri që po vjen më shumë po rehaton militantë partiakë në këto borde se që po vendosen profesionistë që do të avanconin ndërmarrjet publike. Me këto emërime politike këto borde po shkojnë drejt shkatërrimit”, deklaron Zekaj.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit shkarkimi i bordeve në ndërmarrjeve publike ka ardhur nga mos-respektimi i rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjet Publike Qendrore./arbresh.info/

Të ngjashme