‘Zhdukjet e mistershme’ të foshnjave kosovare në vitet e 70-ta, flasin familjarët

07:13 | 21 Qershor 2018
Arbresh.info

Kanë kaluar 49 vite nga prilli i vitit 1969, e një nënë e cila lindi në spitalin e Ferizajt, beson se vajza e saj Vlora, nuk vdiq asnjëherë siç i thanë asokohe mjekët e spitalit ku ajo lindi vajzën.

Ajo rrëfen për RTV Dukagjinin, gjithçka që i ndodhi në spital dhe shpreson ende se një ditë do të gjejë vajzën.

“Lindja ka qenë normale, erdhi edhe nëna ime për ta parë, pas disa orëve më thanë se fëmiun e ke nënpeshë dhe duhet me dërgua në Shkup. Ma morën dhe e dërguan në inkubator. Atje e vizitova dhe fëmiu ishte mirë dhe lëvizte”, fillon tregimin nëna e cila lindi asokohe në spitalin e Ferizajt.

Me dhimbjen e njëjtë ajo kujton kohën kur iu dha lajmi se Vlora e lindur 6 ditë me parë ndërroi jetë, dhe se trupi i saj nuk iu dorëzua kurrë familjes.

“Shkova me i dhënë gji dhe kur po e shoh fëmija nuk është aty. Më thanë se fëmiu kishte vdekur, por ne kërkonim ta merrnim trupin e saj. Ata na thanë se s’keni pse me marrë se i kemi bërë obduksionin dhe se fëmija ishte i bërë copa”, rrëfen e trishtuar gruaja që pretendon se i morën vajzën.

Nëna e Vlorës shpreson ende se një ditë do të gjejë vajzën të cilën nuk e parë kurrë të vdekur.

 

“Gjithmonë e ndiejë se ajo është e gjallë, bile në ëndrra e shoh se po më del përpara”, shprehet nëna e përlotur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme