Zgjidhja përfundimtare për trafikun në kryeqytet, Rama: Kemi zvogëluar pritjen në semafor për 95 %

11:46 | 7 Qershor 2024
K.B

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se e ka gjetur zgjidhjen përfundimtare për problemin e trafikut në kryeqytet.

Rama thotë se për të ardhur deri te zgjidhja e këtij problemi, fillimisht është dashur të dinin se sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës.

Rama njofton se për dy javë përmes 18 kamerave kanë matur trafikun përgjatë 24 orëve.

“Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme”, shkruan Rama në Facebook.

Sipas tij për pasojë pritjet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet. Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant, dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune.

Rama shkruan tutje se të gjitha këto i takojnë të shkuarës dhe se zgjidhja e problemit nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka bërë që pritjet në semafor të zvogëlohen për 95%.

“Krejt këto i takojnë të shkuarës. Zgjidhja e problemit të trafikut nga SHAK-u dhe Kryeqyteti bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h”, shkruan Rama./Arbresh.info/




Të ngjashme