Zgjidhja për taksën, në dorën e PDK-së

19:43 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Taksa doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ishte një vendim unik i koalicionit qeverisës. Por, më vonë mospajtimet brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, filluan pas presionit ndërkombëtar, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për pezullimin e këtij vendimi.

Në fundin e muajit të kaluar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli,propozoi që taksa të pezullohet për 120 ditë. Por, ky propozim i kreut të Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe liderit të partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës, nuk po merret parasysh nga partnerët e koalicionit.

Kjo pasi kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që të mos hiqet taksa, pavarësisht presionit edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozimi i Veselit, duhet të merret seriozisht nga partnerët e koalicionit qeverisës, në këtë rast edhe nga partia e Haradinajt.

“Partia Demokratike përmes kryetarit Veseli, ka propozuar një qëndrim kreativ për sa i përket taksës, qëndrim i cili u është prezantuar partnerëve të koalicionit dhe qëndrim i cili po besojmë që do të trajtohet seriozisht nga koalicioni. Kjo është ajo që momentalisht PDK po e bën, po vendimmarrja i takon vetëm Qeverisë”, thotë Pajaziti.

Ai mendon se Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë mjaftueshëm sa i përket stabilitetit politik në Kosovë.

“Si lider të koalicionit, jemi të interesuar që vendi të ketë stabilitet qeverisës dhe njëkohësisht t’u japim zgjidhje, rrugë, proceseve. Zoti Veseli është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e koalicionit dhe po besoj që kjo është shumë e rëndësishme, që mos të humbim për asnjë moment vëmendjen dhe përpjekjet për trajtimin e kësaj çështje, por edhe të çështjeve tjera qeverisëse të vendit”, thotë deputeti Pajaziti.

Mirëpo, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja është në një udhëkryq për të vendosur se a do ta përkrahë kryeministrin Haradinaj për taksën, ose të veprojë ndryshe për ta pezulluar këtë vendim.

“Partia Demokratike e Kosovës është në një presion të madh, sepse duhet që t’i qëndrojë besnike edhe vendimit të marrë në Qeveri për heqjen e taksës, mirëpo edhe të mos i rezistojë presionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy qëndrime përjashtojnë njëra-tjetrën dhe PDK-ja do të duhej ta bëjë një zgjedhje përfundimtare a është pro taksës apo do të pozicionohet fuqishëm kundër saj dhe do të marrë hapa konkret që do të çonin në pezullimin e taksës”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, PDK-ja e Kadri Veselit, e ka në dorë zgjidhjen për të dalë nga kjo situatë. Ai thotë se e vetmja zgjidhje është rikonfigurimi i Qeverisë, pasi nuk ka kohë të mjaftueshme dhe nuk ka mundësi që të shkohet në zgjedhje të reja, sepse nuk ka asnjë garanci, sipas tij, që zgjedhjet e reja do të sillnin një zgjidhje për të dalë nga kjo bllokadë.

“Opsioni më real është ri-konfigurimi i Qeverisë, pra PDK-ja si partia kryesore e koalicionit PAN, duhet ta marrë përgjegjësinë dhe të vendosë për një ndryshim të qeverisë, sepse ky është opsioni më realist i mundshëm”, vlerëson analisti Muhaxhiri.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë tarifën doganore. Përfaqësuesit e lartë të Kosovës kanë pranuar edhe një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Në letër thuhet se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistojë se taksa prej 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme