Google ADS

Zgjedhjet pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi, Krasniqi: Ky proces po ndikon në jetëgjatësinë e qeverive

09:07 | 7 Janar 2021
V. S.

Dialogu Kosovë-Serbi sipas zyrtarëve të BE-së pritet të rifilloj së shpejti. Kurse aktualisht vazhdimin e këtij procesi nuk po e sheh të mundshëm, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas Krasniqit në këtë periudhë kur Kosova pritet të shkojë në zgjedhje do të ketë pezullim të procesit të dialogut me Serbinë.

“Tani ne nuk mund të presim që mund të ketë një vazhdim të procesit të dialogut derisa të kemi zgjedhje, një Qeveri e një Kuvend të ri, pra deri sa të kemi një rilegjitimim të Qeverisë së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe mund të presim që të ketë pezullim të këtij procesi. Ne kemi pasur zgjedhje në vazhdimësi dhe kjo ka ndikuar që ndoshta procesi të shtyhet, të mos ketë diskutime në kohën kur ka pasur zgjedhje, por ajo çfarë kemi parë në fakt është që vet procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka ndikuar që në Kosovë të ketë ndryshime të qeverive dhe që Kosova të shkojë në zgjedhje”.

Poashtu Krasniqi konsideron se është pikërisht dialogu faktor kyç që ka ndikuar në jetëgjatësinë e Qeverive në vend.

“Jo më larg se këtë vit kemi parë që në momentin kur Qeveria Kurti u formua, për shkak të mosdakordimeve të koalicionit qeverisës të atëhershëm LDK-VV qeveria ra dhe e dimë që edhe në të kaluarën kur kishte deklaruar edhe vet ish-kryeministri Ramush Haradinaj që dialogu kishte qenë një ndër arsyet apo presioni i madh për çështjen e taksës ishin ndër arsyet që ai kishte dhënë dorëheqje. Pra shohim që ky proces ndikon drejtpërdrejt edhe në jetëgjatësinë e qeverive të Kosovës”.

Krasniqi pohoi se ka pasur tendenca nga BE-ja për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.

“Ne jemi në fazën finale të dialogut e cila është thënë se është në vitin 2017 atëherë kur ishte duke u udhëhequr nga dy presidentët. Pamë që dialogu lëvizi nga binarët e tij evropian siç quhet kur u diskutua për çështjen e shkëmbimit të territoreve. Ndërkohë që tani me marrjen e këtij procesi nga zotëri Lajçak dhe rifillimin e fazës finale e kemi parë që ka tentativa për një marrëveshje finale, por duhet të ketë më shumë qartësim rreth asaj se çfarë duam të arrijmë. Duke e ditur që Serbia ende nuk është dakord që të njoh Kosovën dhe ende kërkohen nga Kosova kompromise për marrëveshje përfundimtare”.

Ajo ka theksuar se Kosovës i duhet strategji e mirëfilltë për procesin e dialogut të filluar qysh në viti 2011.

“Prandaj ajo çfarë kemi kërkuar ne si institut është që të ketë një strategji të mirëfilltë të këtij procesi dhe të ketë një konsensus sa më të gjerë politik duke e ditur se është proces i cili është shtetëror dhe që kalon përtej një qeverie të caktuar dhe kërkon gjithmonë dy të tretat e votave në Kuvend. Dhjetë vite dialog, shumë marrëveshje, një pjesë prej tyre të pazbatuara. Tani kërkohet një qasje ndryshe në atë që të mos ketë më dykuptimësi të marrëveshjeve por të ketë transparencë, gjithëpërfshirje dhe strategji të mirëfilltë nga pala kosovare për këtë proces”, ka përfunduar ajo për  EO.

Pas raundit të fundit të bisedimeve në nivel të ekspertëve midis Kosovës dhe Serbisë më 10 dhjetor, të dyja delegacionet njoftuan takimin e ardhshëm në nivelin teknik për fillimin e janarit në Bruksel.

Përderisa më 22 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi gjatë zgjedhjes së Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme