Vendi po përgatitet për zgjedhjet e së dielës në katër komunat e veriut të Kosovës, në Mitrovicë të Veriut, në Leposaviq, në Zveçan dhe në Zubin Potok.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ku përveç partive garuese dhe procedurat tjera që nevojiten, ka miratuar edhe qendrat e votimit për zgjedhjet e 23 prillit.
Partia më e madhe e kësaj zone, Lista Serbe, e cila është e kontrolluar drejtpërdrejtë nga shteti serb me në krye presidentin Vuçiq, ka refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje.
Ata e kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në këtë proces me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nga 44 vendvotime që ishin në zgjedhjet e kaluara në veri të vendit, të dielën do të jenë vetëm 19 qendra të votimit. Kështu ka vendosur KQZ-ja në mbledhjen e javës së kaluar.
Këtë herë, jo shkollat, po kontejnerët janë vendet ku do të votojnë qytetarët e këtyre komunave me shumicë serbe. KQZ ka njoftuar se nga 19 vendvotime, 13 do të jenë në kontejnerë, të cilat do vendosen nëpër pjesë të ndryshme të komunave.
Kjo për shkak se shkollat në veri janë të kontrolluara direkt nga sistemi serb.
Mungesa e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit dhe numri i vogël i vendvotimeve, çon në supozimin se numri i votuesve që do të marrin pjesë do të jetë i vogël, madje, shumë më i vogël se në situata normale.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se është i bindur se Lista Serbe, si instrument i shtetit serb, nuk do t’i lejojë qytetarët serbë që të dalin e të votojnë.
“Nuk besoj aspak që mund të ketë nivel të lartë në numër të pjesëmarrësve në zgjedhjet e së dielës në veri. Natyrisht, kjo për shkak se Lista Serbe nuk do të merr pjesë në zgjedhje dhe siç e dimë, për shkak të presionit që ushtrojnë tash e sa kohë tek qytetarët serbë atje që të mos e respektojnë asnjë vendim që vjen nga institucionet kosovare. Në këtë situatë që jemi, me tensionet dhe incidentet e vogla që dalëngadalë po rriten, e sidomos kohët e fundit, unë besoj që Lista Serbe do t’i pengojë votuesit për me dalë e me votu, në forma të ndryshme”, tha Spahiu.
Madje, ai gjithashtu tha se “Situata është e rrezikshme ku pritet me pas eksese dhe me pas një gjendje që mund të çojë në përshkallëzim. A do të jetë në gjendje Policia e Kosovës me e kontrollu situatën apo jo, kjo varet nga kapacitet e saj”.
Deputeti i sapo larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka deklaruar se pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje nuk e sheh si problem.
Humolli u shpreh se eskalimi i mundshëm i situatës, varet krejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
“Zgjedhjet besoj se kanë me kalu pa probleme dhe kanë me pas votues mjaft. Është e nevojshme që të bëhen ato dhe të kemi institucionet komunale. Lista Serbe është e dirigjuar nga Beogradi, dhe në kushte normale ajo do të duhej që nga gjykatat e Kosovës të shpallet si e jashtëligjshme, mirëpo eskalimi i situatës është i mundur nëse faktori ndërkombëtar bën me gisht se duhet të bëhet, por nëse ndërkombëtarët e bëjnë të kundërtën, atëherë nuk do të ketë eskalim të situatës”, tha Humolli për Arbresh.info.
LDK: Zgjedhjet duhet të mbahen
Të njëjtin mendim nuk e ndan deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, e cila shprehet skeptike për pjesëmarrjen e votuesve në këto zgjedhje.
Ajo thotë se primare në këtë gjendje është që ato po mbahen dhe duhet të jenë të qeta, meqë palët janë dakorduar që mos të krijojnë situata të rrezikshme më.
“Jam skeptike se do të ketë shumë votues sepse në kohët e fundit kemi parë se ka qenë situata paksa shqetësuese, mirëpo kryeministri duhet të merret me këtë çështje. Zgjedhjet duhet të mbahen dhe duhet të jenë të qeta, sidomos pas marrëveshjes së dakorduar në Ohër, ku është thënë që dy palët nuk duhet t’i bëjnë probleme njëra-tjetrës”, deklaroi Krasniqi për Arbresh.info.
Katër komunat veriore të vendit janë pa kryetarë dhe pa Kuvend Komunal që nga 5 nëntori i vitit të kaluar, kur Lista Serbe mori vendim që të tërhiqen nga secili institucion apo funksion zyrtar që mbanin brenda shtetit të Kosovës, për shkak të shkarkimit nga puna të drejtorit serb të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq.
Pas largimit të tyre nga pozitat, zgjedhjet u planifikuan të mbaheshin më 18 dhjetor të atij viti, por pas sulmeve të 6 dhjetorit në zyret e KQZ-së, filloi edhe dalja e situatës nga duart për Kosovën.
Kjo pasi ish-polici serb, Dejan Pantiq u arrestua për shkak të këtyre sulmeve, dhe kësisoj, serbët e urdhëruara nga sistemi represiv shtetëror serb, filluan vendosjen e barrikadave dhe sulmet e ndryshme me bomba të vogla nëpër pjesë të ndryshme të atij territori.
Në lidhje me ndonjë eskalim të sërishëm të situatës dhe sigurinë e mbajtjes së zgjedhjeve më 23 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të martën e 18 prillit se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim të situatës.
“Unë i ftoj që të gjithë këta që kanë të drejtë vote, të dalin dhe të votojnë. E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione, të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveçse frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Kurti u shpreh i bindur se zgjedhjet do të mbahen dhe tha se në disa komuna mund të ketë edhe rund të dytë.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në raportim para një komisioni parlamentar më 14 prill deklaroi se zgjedhjet pritet të mbahen dhe se “çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë kurrë nuk kanë bërë punë më të mirë”.
Kundër mbajtjes së zgjedhjeve u shpreh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se për shkak të gjendjes në veri, autoritetet do të duhej ta shtynin mbajtjen e zgjedhjeve.
Faktorët ndërkombëtarë nuk kanë lënë pa reaguar në lidhje me këtë çështje kaq shqetësuese.
Ata kanë kërkuar që zgjedhjet e 23 prillit të mbahen.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – që njihen si shtetet e QUINT-it – bënë thirrje që më 23 prill “të gjitha palët të ushtrojnë përmbajtje dhe ta shmangin dhunën” që do të mund ta prishte procesin zgjedhor.
Shtetet e QUINT-it shprehën keqardhje që në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike për të marrë pjesë në to”.
Në garë për katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë 11 kandidatë, prej të cilëve dy nga komuniteti serb.
Të vetmit serbë që do garojnë janë: Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës, i cili garon për kryetar të Leposaviqit dhe kandidatja e pavarur Sllagjana Pantoviq, e cila garon për të parën e Zveçanit. / Arbresh.info/EmirAbduramani/
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...