Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar zgjedhjet e brendshme – zgjedhje këto që nuk po iu shpëtojnë incidenteve.
Fillimisht, për incidente u raportua në një nëndegë të Prishtinës ku përflitej se i përfshirë ishte edhe Bajram Gecaj dhe djali i tij, gjë e cila ishte mohuar nga vet anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Bujë të madhe bëri edhe rrahja e cila ndodhi në një nëndegë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në qytetin e Mitrovicës ku prezent ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti fillimisht e mohoi të ketë qenë prezent në momentin kur ka ndodhur incidenti, por ndryshe tha nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova i cili pohoi se Hoti ishte aty.
Incidente ka pasur edhe në një nëndegë në fshatin Smrekonicë të Vushtrisë, ku sipas anëtarëve të asaj nëndege, kryetari i LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor.
Së fundmi, incident dhe rrahje ka pasur edhe në nëndegën e LDK-së në fshatin Koshare të Vushtrrisë ku sipas anëtarëve të kësaj partie, Muharrem Svarça ka tentuar të manipulojë procesin zgjedhor.
Ditë më vonë burime të sigurta i kanë thënë lajmi.net se Svarça po tenton të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së edhe në nëndegë të tjera të Ferizajit.
Por cili është versioni zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raport me incidentet që kanë ndodhur në këto nëndegë?
Zëdhënësi për media i LDK-së, Besian Mustafa ka mohuar të ketë pasur incidente në nëndegë të tjera përveç asaj të Mitrovicës dhe të Ferizajit.
Ai është shprehur se zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shembull për Gjermaninë e Amerikën e lëre më për vendet e tjera, duke mohuar edhe incidentin në Prishtinë ku thotë se kishte vetëm debat dhe asgjë më shumë.
“Janë 931 nëndegë të LDK-së, në 2 kemi pasur incidente, në 929 të tjera nuk kemi pasur, statistikë më të shkëlqyeshme nuk e di se mund të ketë. Asnjë nëndegë në Prishtinë nuk ka pasur incident, ka pasur thjesht debat dhe kjo është e natyrshme për një parti si Lidhja Demokratike e Kosovës. Është proces i lakmueshëm edhe prej Gjermanisë e Amerikës e lëre më të shteteve të tjera në rajon”, tha Mustafa për lajmi.net.
Sipas Mustafës, këto janë raste të izoluara por megjithatë LDK i dënon rastet e tilla.
“Janë dy nga 931 nëndegë, sigurisht kurrë nuk e përkrahim asnjë përleshje fizike, por janë 2 incidente super të izoluara, po e përsëris 2 nga 931, pra nuk është fenomen në LDK, janë raste të izoluara. Ne e dënojmë dhunën”, tha Mustafa për lajmi.net.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka minimizuar ndikimin që mund të kenë incidente të tilla në zgjedhjet e brendshme të partisë, por vlen të përmendet se 13 vite më parë, në këtë parti ndodhi një incident i madh, që njihet si “Kuvendi i Karrigeve”.
Aty pati një përleshje midis anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjë që dërgoi edhe në ndarjen e kësaj partie në dysh.
Aso kohe, Nexhat Daci me një pjesë të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, formuan partinë e re, që u quajt Lidhja Demokratike e Dardanisë.
E sa do të ndikojnë këto incidente në nëndegët e kësaj partie në zgjedhjen e kryetarit që vjen në fund të zgjedhjeve nëpër degë e nëndegë mbetet të shihet.
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...
Bedri Hamza merr mbështetje nga Taulant Xhaka
”Nëse e nxen përpara, ta jap dorën!”, Edi e Driloni në betej...
Kica-Xhelili i reagon Kurtit: Doracakët i keni miratuar e sh...
Mevlani flet për videon e ish-të dashurës: Ka qenë e tepruar...
Panairi i Librit ul siparin, Tom Kuka shpallet autori më i m...