Zgjedhjet lokale| Asnjë parti parlamentare ende nuk ka aplikuar për certifikim

08:27 | 7 Gusht 2021
arbresh.info

Vetëm 8 subjekte politike kanë aplikuar deri më tani për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Data e fundit për dorëzimin e aplikimit dhe listës së kandidatëve është 16 gushti dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të ketë afat shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Ekonomia Online se kanë aplikuar 5 iniciativa qytetare, 2 kandidatë të pavarur dhe 1 parti politike. Sipas tij, asnjëra nga këto subjekte nuk është parti parlamentare.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me mundësinë që KQZ-ja të zgjasë afatin e aplikimit, Elezi ka thënë se afati i vendosur nga KQZ-ja është mbështetur ne ligj dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.

“Deri më 16 gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë aplikimet nga ana e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e vjeshtës. Ne jemi në zgjedhje të rregullta, pra edhe afatet të cilat janë vendosur nga KQZ-ja janë të mbështetura në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjin për zgjedhjet lokale, prandaj, nuk ekziston mundësia për të pasur një afat shtesë sa i përket kohës së kur subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre”, tha Elezi.

Gjithashtu, Elezi bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në bashkëpunim me institucionet tjera, varësisht nga fusha e përgjegjësisë që mbulojnë ato.

Në anën tjetër, KQZ-ja është duke vazhduar të pranojë aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri të premten janë pranuar 2,646 aplikime, prej tyre janë aprovuar 2,461 ndërsa 185 të tjera jo, sepse nuk kanë përmbushur kriteret ligjore. Afati për regjistrim përfundon më 18 gusht.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme