Zgjedhjet evropiane, Kurti: Përkrah kancelarit Sholz mbështetëm dy socialdemokratë

20:04 | 5 Maj 2024
E.G

Kreyministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë, ku përkrah edhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik, shkruan Arbresh.info.

“Këto janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale që tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar, por edhe nga parti të djathta që në vend se të distancohen, koketojnë me ta.”, ka shkruar Kurti.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se konferenca udhëhiqej nga motoja “Ne qëndrojmë të bashkuar – për Evropën tonë”.

“Sepse vetëm të unifikuar, mund t’ia dalim suksesshëm me vështirësitë e të tejkalojmë sfidat që na paraqiten.”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit Kurti, zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentit./Arbresh.info/

Të ngjashme