Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, partitë politike të gatshme për t’i hyrë garës

15:01 | 7 Shkurt 2020
V. S.

Pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e tij si kryetar i Komunës së Podujevës, në këtë komunë do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, sipas vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 15 mars.

Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës, në përputhje me ligjin në fuqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët me kandidatin Agim Veliu, kishin fituar zgjedhjet komunale në Komunën e Podujevës, shprehen të bindur se edhe në zgjedhjet e reja do të dalin fitues.

Nexhmi Rudari, anëtar i kryesisë së LDK-së, në Podujevë, ka thënë për Telegrafin që së shpejti do të vendosin se kush do të jetë kandidati i tyre në këto zgjedhje.

“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës së shpejti do të ulet e do të bisedojë së kush do të jetë kandidat për kryetar. LDK do t’i fitojë prapë zgjedhjet”, ka pohuar ai.

Shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë, e kanë mirëpritur edhe Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila ishte radhitur e dyta në zgjedhjet e vitit 2017.

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Podujevës, Doruntina Hasani, ka konfirmuar se janë të gatshëm për këto zgjedhje.

“Zgjedhjet janë mundësi shumë e mirë për qytetin e Podujevës edhe pse të parakohshme, shumë të nevojshme për ndryshimin e qeverisjes në qytetin tonë. Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja dhe për çdo sfidë që është në qytetin tonë, do të ofrojmë platformën më të mirë politike”, ka thënë Hasani për Telegrafin.

Gjithashtu, Hasani bëri të ditur që së shpejti do të vendosin dhe për kandidatin e LVV-së për kryetar të Podujevës.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të gatshëm për ta fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr komunën, besoj edhe kandidati së shpejti do të vendoset. Dhe do të jetë zgjidhja më e mirë për qytetarët llapjanë”, potencoi ajo.

Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, pohojnë se zgjedhjet janë mundësi e mirë që qytetari ta thotë fjalën e tyre.

Rafet Llapashtica nga Dega e PDK-së në Podujevë, ka thënë se presin ndryshime në këto zgjedhje.

“Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme çdo moment për zgjedhje. Për kandidat ende nuk kemi vendosur. Ne si PDK presim ndryshime në qeverisje dhe shpresoj që zgjedhjet të jenë demokratike dhe qytetari ta thotë fjalën e vetë”, ka thënë Llapashtica për Telegrafin.

Të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 15 mars, janë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Mrika Thaçi nga Dega e AAK-së në Podujevë, tha për Telegrafin që së shpejti do të dalin me kandidatin e tyre për kryetar.

“Ne jemi gati për zgjedhje, së shpejti do të bisedojmë dhe do të dalim me kandidatin tonë për këto zgjedhje”, u shpreh ajo.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale të cilat janë mbajtur në vitin 2017, Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidatin Agim Veliun kishin fituar 15 mijë e 302 vota, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Ajet Potera kishin fituar 8 mijë e 878 vota, Partia Demokratike e Kosovës me kandidat Hajredin Hyseni kishin fituar 7 mijë e 326 vota, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me kandidat Fatmir Humolli kishin fituar 2 mijë 251 vota. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme