Nga Mentor Nazarko
Shqipëria përmbylli me njëlloj suksesi zgjedhjet administrative që ishin të parat për disa arsye. Të parat për Edi Ramën si kryeministër. Të parat për Lulëzim Bashën si kryetar i opozitës. Dhe të parat mbi bazën e një harte të re të ndarjes së bashkive të Shqipërisë.
Po e nisim nga fundi. Ndarja e re territoriale, pavarësisht mungesës së konsensusit të opozitës, mungesës së përputhshmërisë së kritereve të vizatimit të saj- tradita,uniteti ekonomiko-demografik, etj,- që me gjasë do të korrigjohet sërish, është diçka historike. Kështu e quajti me të drejtë patriarku i të majtës, por jo vetëm i saj, Dritëro Agolli. Kjo ndarje që i bëri « katundarët qytetarë », siç tha kryeministri Rama, banor i ri i Surrelit, do të prodhojë shumë shpejt dinamika të reja ekonomike, urbane, në cilësinë e menaxhimit të njësive tona, në krijimin e administratorëve të rinj lokalë, që do ta çojnë Shqipërinë shumë përpara. Kjo ndarje e rriti kompaktësinë etnike të shqiptarëve, nuk ju nënshtrua ndërhyrjeve nga jashtë, duke reflektuar megjithatë një qasje tolerante ndaj pakicave.
Votimet e djeshme ishin të parat për Edi Ramën si kryeministër. Ai u testua për cilësinë e administrimit të zgjedhjeve ; për cilësinë e kandidatëve ( të rinjtë, disa rikandidime, disa cene kriminale ose jo për ta), për cilësinë e qeverisjes së vet. Përgjithësisht fazat e para të procesit-fushata, plus votimi, kaloi pa probleme të mëdha. Rastësisht ose jo, nëse pati ndonjë problem të raportueshëm ndërkombëtarisht, ato lidheshin me zona si Lezha dhe Vora ku LSI është violina e parë me kandidatët e vet. Ka patur dukuri të vjetra si zhvendosja e votuesve në zonat e dëshiruara fuqimisht, një lojë në kufijtë e ligjshmërisë, më shumë e zbatuar nga partitë qeveritare, ka patur premtime të fuqishme për punësim nga LSI, ka patur përpjekje për kontroll të votës nëpërmjet depozitimit të kartave të identitetit, etj, etj, por përmasa e kontestimit nuk besohet se do të cënonte rezultatin përfundimtar. Për t’i dhënë notën përfundimtare procesit, i cili është themelor për një datë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE do duhet pritur numërimi dhe administrimi i ankimit dhe komentet e vëzhguesve ndërkombëtarë, të OSBE-së. Si për të ilustruar cilësinë e këtyre zgjedhjeve në këtë fazë të procesit-fushatë, plus votim, do duhet ndoshta t’i referohemi deklarimeve të një kandidati të PD-së në zonën e Fierit, përgjithësisht e majtë, zotit Enkelejd Alibeaj,i cili i cilësoi këto zgjedhje si më të mirat. Po të mbajmë parasysh se Fieri megjithë dominimin e së majtës, ka qenë zonë konfliktesh partiake në të gjitha fazat e procesit, atëherë diçka dhe mund të kuptohet. Ndërkohë, nisur nga sondazhet që konfirmonin një prirje të konsoliduar sipas të cilës partia fituese e zgjedhjeve parlamentare, fiton dhe ato administrative, qeveria nuk ka patur motive të forta për të kontrolluar masivisht rezultatin me mjete joligjore. Më interesant për qeverinë ka qenë mbarëvajtja e procesit që lidhet me hapjen e bisedimeve, pavarësisht se shejtanët lokalë, të motivuar mbi elementë materialë, veçanërisht ata të LSI-së, mund të mos arsyetojnë njëlloj si qendrorët.
Sa i takon cilësisë së kandidatëve, Rama që po përpiqet të krijojë një parti të re, frymë të re, u përpoq të shmangte rikandidimet, jo thjesht për të rritur luajalitetin e kryetarëve të rinj, por dhe problemet me korrupsionin. U arrit të shmangeshin në masë të madhe ato, por jo tërësisht. Rama nuk arriti të mbyllte përfundimisht pretendimet për rikandidim figurash me rekorde kriminale (megjithë mospajtimet për përkufizimin e këtij koncepti) dhe me gjasë procesi i dekriminalizimit do të vazhdojë. Ky proces me siguri do të vazhdojë në parlament (pra do të kemi një ligj), do vazhdojë angazhimi ndërkombëtar me atë amerikan në krye për këtë proces, por dhe Rama vetë nuk ka treguar kokëfortësi në këtë drejtim. I fortë në sytë e ndërkombëtarëve nga lufta e suksesshme ndaj vatrave të kanabisit të njohura botërisht si Lazarati dhe Dukagjini, etj, Rama nuk ka treguar kurrfarë ndjeshmërie për distancim ndaj të vetëve që kanë rekorde kriminale, siç ishte rasti i largimit apo ndëshkimit të dy deputetëve.
Këto zgjedhje ishin testim për cilësinë e qeverisjes dhe do presim rezultatet për të dhënë një gjykim përfundimtar. Rama u përpoq nëpërmjet procesit të reformës urbane të zbuste efektet e disa reformave jo shumë popullore por dhe të injektonte në bazë, energjitë, idetë e tij për ndryshimin e territorit. Pjesëmarrja e ulët duke llogaritur këtu rënien e interesit për zgjedhjet lokale, stinën, emigracionin, listat e fryra, mund të quhet tregues i një pakënaqësie për Ramën. Abstenimi është një hap larg votës kundër, por nuk është vetë vota kundër. Gjithsesi rezultati i Tiranës do të jetë përcaktuesi i tendencës popullore për një Ramë i cili po i largohet PS-s si bazë elektorale tradicionale duke krijuar një bazë më të gjerë që përfshin dhe forca të djathta dhe nacionaliste si FRD, PDIU, etj, etj.
Zgjedhjet e djeshme ishin të parat për Bashën. Megjithë akuzat për ndikimin tërësor të Berishës në vendimmarrjen e tij, këto zgjedhje patën disa shenja të stilit të tij politik të drejtimit. Me ndikimin e Bashës, me gjasë logjika konfrontuese e paraardhësit të vet, u zvogëlua ndjeshëm, duke mbetur kryesisht në një plan retorik jo linear, apo në ndonjë zhurmë të shpërpjesëtuar për përmasat e incidenteve elektorale. Me gjasë, me sugjerimet e këshilltarëve amerikanë, që nga sondazhet identifikonin punësimin, rritjen e taksave, etj si problemet popullore më të mëdha, por dhe për t’u distancuar nga ndarja territoriale që nuk e deshi, Basha zhvilloi një fushatë tipike për zgjedhje parlamentare. Pra temat e fushatës bashiane, oferta e tij ishin tipike për to. Kjo lloj fushate, i bart brenda njëlloj dhe avantazhet dhe rreziqet që do kuptohen më mirë kur të numërohen votat. Nëse rezultati i PD-së së drejtuar nga Basha do jetë në ngritje, atëherë kryetari i ri ka bërë zgjedhje të saktë pragmatikisht. Por nëse ky rezultat, në disa indikatorë (numër bashkish të fituara, proporcionali kombëtar, etj) do jetë i ulët për PD, atëherë ndoshta Basha ka gabuar. Ka dhe një element kundërthënës që e provon këtë skenar të dytë. Bashkia e re e Tiranës është afro gjysma e vendit, ajo reflekton gjithë Shqipërinë për nga përbërja, por dhe nivel më të lartë kulturor për shkak të emancipimit të kryeqytetit dhe pikërisht për kto arsye, kandidati i PD-së, zgjodhi të bënte një fushatë me frymë rrënjësisht tjetër nga ajo qendrorja. Kosova edhe për shkak të formimit të vet, eksperiencës së tij profesionale, bëri një fushatë thuajse bipartizan, nuk u përplas me rivalin, foli për bashkëpunim me qeverinë, etj. Basha e ndoqi në këtë lloj fushate, dhe kjo kundërthënie, do peshonte në dëm të llojit të fushatës së Bashës.
Këto zgjedhje të parat, për arsyet e mësipërme, ngjanë të ndryshme në dy fazat e procesit. Dhe mosdalja e taborreve të palëve për të festuar pa mbyllur procesin, është tregues i saj. Le të presim rezultatet brenda kutisë për të konfirmuar prirjen e këtyre zgjedhjeve të para….
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja