Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) deri më tani ka pranuar një deklarim për koalicion ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, për Zgjedhet Parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Kështu bën të ditur për Arbresh.info, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Deri më tani, në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli”, thotë Elezi.
Elezi thekson se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Ndërsa, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen.
Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.
Elezi bën të ditur se deri më tani, partia politike e regjistruar Partia Demokratike e Diasporës ka njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.
Më 30 gusht 2024 (16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje.
Arbresh.info ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga deputetët e partive politike se a kanë ndërmend të hyjnë në koalicion, por të njëjtit nuk kanë dashur të kthejnë përgjigje.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 16 gusht 2024 ka shpallur datën 9 shkurt 2025, si datë të zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës /Arbresh.info/
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...