Google ADS

Zgjedhjet e 14 shkurtit, mobilizohet Policia e Kosovës

16:26 | 2 Shkurt 2021
L G

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, shkruan arbresh.info.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e planit policor në katër faza, duke filluar nga; Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, gjithnjë duke zbatuar edhe (ligjin Nr.07/L-006, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘COVID-19’ në tërë territorin e Republikës së Kosovës, vendimet e Qeverisë së RKS-së, vendimet dhe qarkoret Ministrisë së Shëndetësisë si dhe rekomandimet e IKSHP-së.

Sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depos Qendrore.
Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia e Kosovës po ashtu ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.
Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Raportoni;
Nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme