Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Me anë të një postimi në Facebook, ai përsëriti që regjistrimi është deri më 26 dhjetor, shkruan Arbresh.info.
Ai tha se për votimin më masiv, votimin me postë dhe votimin pranë ambasadave e konsullatave, si fillim duhet të regjistroheni online.
“Gjatë regjistrimit, ju mund të zgjedhni nëse dëshironi të votoni:
1) Në mënyrë fizike në Ambasadën ose Konsullatën tonë në shtetin ku jetoni;
2) Duke dërguar zarfin me votën tuaj në kutinë postare të hapur nga KQZ përmes Ambasadave apo Konsullatave enkas për votim; ose ajo mënyra e vjetër:
3) Duke dërguar votën tuaj me postë direkt në Kosovë.
Votimi fizik në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore organizohet të shtunën, datë 8 shkurt 2025, dhe zgjatë 12 orë. Ndërsa, votimi me postë hapet me datë 9 janar 2025 dhe zgjatë një muaj. Votimi me postë ju merr vetëm pesë minuta kohë.”, tha ai.
Kurti theksoi se “Deviza jonë e përbashkët është: Nga çdo cep i botës ku je, hidhe votën për atdhe!”
Postimi i plotë:
Të dashur mërgimtarë,
Ju uroj më së pari mbarësi në jetë, punë dhe familje. Ju shpreh si në çdo rast nderimin dhe mirënjohjen për përgjegjësinë dhe kontributin tuaj me dekada në fatet e Kosovës. Mbijetesa e rezistenca, çlirimi e pavarësia, rindërtimi e zhvillimi, të gjitha këto mbajnë edhe vulën e meritës suaj.
Si Kryeministër i Kosovës, dua t’ju drejtohem me një thirrje të sinqertë për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme 2025.
Me institucionet tona ne kemi shpërndarë informacionet e nevojshme për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ne e kemi shprehur qartë rëndësinë e votimit të mërgatës në progresin e Republikës sonë. Andaj një nga qëllimet tona më të larta të qeverisjes është t’ju shohim sa më shumë pjesëmarrës në jetën politike e sociale, ekonomike e kulturore të shtetit tonë. Republika e Kosovës është shteti i të gjithë qytetarëve të saj, kudo qofshin ata.
Për të qenë të sigurt që mund të shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar, është obligative të regjistroheni online në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Afati i fundit për regjistrim është data 26 dhjetor 2024, pra kanë mbetur vetëm edhe pak ditë.
Për votimin më masiv, votimin me postë dhe votimin pranë ambasadave e konsullatave, si fillim duhet të regjistroheni online.
Edhe një herë, ky regjistrim është i mundur deri më 26 dhjetor.
Gjatë regjistrimit, ju mund të zgjedhni nëse dëshironi të votoni:
1) Në mënyrë fizike në Ambasadën ose Konsullatën tonë në shtetin ku jetoni;
2) Duke dërguar zarfin me votën tuaj në kutinë postare të hapur nga KQZ përmes Ambasadave apo Konsullatave enkas për votim; ose ajo mënyra e vjetër:
3) Duke dërguar votën tuaj me postë direkt në Kosovë.
Votimi fizik në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore organizohet të shtunën, datë 8 shkurt 2025, dhe zgjatë 12 orë. Ndërsa, votimi me postë hapet me datë 9 janar 2025 dhe zgjatë një muaj. Votimi me postë ju merr vetëm pesë minuta kohë.
Qeveria është përkushtuar t’i përmbush të gjitha obligimet e saj për këtë proces. Ne do të kemi 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme, ndërsa votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.
Ne e dimë që distanca nga vendlindja nuk është pengesë për atdhedashurinë dhe angazhimin tuaj për Kosovën, prandaj mundësia për të votuar është mënyra më e mirë për t’u siguruar që zëri juaj të dëgjohet. Kosova ka nevojë për ju, për një diasporë të fuqishme dhe aktive për të mirën tonë të përgjithshme drejt të ardhmes sonë të përbashkët.
E di që shumë prej jush thoni “nuk po regjistrohem të votoj sepse do të shkoj të votoj në Kosovë fizikisht”. Edhe kur vini, të dashur bashkatdhetarë, ju s’vini dot të gjithë, aq shumë që jeni atje. Vini dy a tre nga familja, e shumëfish më shumë mbeten pa ardhur nga familja e gjerë sa jeni. Votoni me postë dhe ejani për kremtim në fundjavën e gjatë nga 7 deri 10 shkurt 2025!
Votimi përmes postës dhe votimi në ambasada është një fitore e madhe në rrafshin e demokracisë dhe të drejtave politike. Sigurisht që pjesëmarrja e juaj në votime në Kosovë është një rast i mrekullueshëm për t’u parë e biseduar me familjarët e miqtë. Por udhëtimi në stinën e dimrit, sipas gjasave, nuk do të jetë aq i thjeshtë. Votimi përmes postës në kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, është një lehtësi e madhe financiare dhe një shpejtësi edhe më e madhe në kohë. Ky votim me postë në këto kuti postare jashtë Kosovës, apo edhe votimi fizik në ambasada e në konsullata për disa prej jush, i mundëson numrit më të madh të mërgimtarëve tanë të marrin pjesë në zhvillimin integral të atdheut tonë. Duke u regjistruar dhe votuar nga shtëpia, ju nuk e lini votën tuaj në mëshirë të motit apo të papriturave të tjera.
Deviza jonë e përbashkët është: Nga çdo cep i botës ku je, hidhe votën për atdhe!
Kështu pra, vota nuk duhet të varet as nga moti e as nga numri i vendeve në agjencitë e udhëtimit.
Mos harroni, regjistrimi është obligativ, andaj ju ftoj të regjistroheni, të informoheni dhe të merrni pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm. Regjistrohuni sa më shumë në ditët që kanë mbetur deri më 26 dhjetor.
Bëni votën tuaj të dëgjohet!
Në shkurt shihemi në Kosovë, jo domosdoshmërish për të votuar, por sigurisht për të festuar!
Bashkë ndërtojmë një të ardhme më të fortë dhe më të drejtë për Kosovën tonë të dashur.
Ju falemnderit./Arbresh.info/
Guardiola pas humbjes ndaj United: Unë nuk jam mjaftueshëm i...
Zgjedhjet e 9 shkurtit, VV të mërkurën prezanton kandidatët ...
KFOR-i italian donacion për shkollën `Faik Konica` në Ratish...
Rina Balaj: Butrint Imeri është i mbivlerësuar
Një javë pas rrëzimit të Assad, rihapen shkollat në Siri
Leganesi u bën mirë skuadrave të kryeqytetit, triumfon ndaj ...