Google ADS

Zgjedhjet 2025, Çitaku: Përgjatë fushatës kemi përgatitur 1700 takime

12:18 | 7 Janar 2025
E.G

Partia Demokratike e Kosovës (131) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku janë prezantuar planet dhe vizioni për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka mbajtur konferencë për media.

Çitaku ndau vizionin dhe planet e partisë per zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Arbresh.info.

“Kandidatët tanë dhe strukturat tona në terren kanë punuar pareshtur për t’u siguruar se çdo qytetar do të përfaqësohet denjësisht”, tha Çitaku.

Ajo njoftoi se gjatë fushatës, PDK-ja do të mbajë mbi 1,700 tubime me qytetarët anembanë Kosovës, ku do të prezantohet programi dhe vizioni i saj.

Çitaku gjithashtu ftoi qytetarët të marrin pjesë në hapjen zyrtare të fushatës, më 11 janar në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke e cilësuar këtë aktivitet si një festë e unitetit dhe shpresës.

“PDK është e bindur në lidershipin dhe programin e saj, duke besuar se ofron kandidatin më të mirë për kryeministër dhe listën më të kualifikuar të kandidatëve për deputetë”, tha Çitaku.

Sekretarja e Përgjithshme njoftoi gjithashtu se Blerand Stavileci është caktuar si zëdhënës zyrtar i fushatës, i mbështetur nga nënkryetarja Besianë Musmurati.

“Angazhimi ynë për transparencë dhe bashkëpunim me mediat do të jetë prioritet. Vlerësojmë lart rolin e gazetarëve në demokracinë tonë dhe premtojmë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë fushatës”, tha zëdhënësi zyrtar i fushatës, Blerand Stavileci.

Ai theksoi se këto zgjedhje janë një mundësi për ta formësuar të ardhmen e Kosovës dhe për të adresuar nevojat reale të qytetarëve.

“Zyra e komunikimit të PDK-së do të sigurojë qasje të plotë për mediat, duke garantuar informim të vazhdueshëm dhe korrekt”, tha ai.

PDK-ja fton qytetarët e Kosovës të bashkohen nën numrin 131 për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe ma të mirë./Arbresh.info/

Të ngjashme