Fakti që Kosova po zbrazet dhe rinia po ik çdo ditë, tregon që vendi gjendet në një krizë të thellë ekonomike.
Kështu shprehet për Arbresh.info deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti.
“Sa i përket politikës, unë mendoj që fakti që Kosova po zbrazet nga rinia, nënkupton që është në një krizë të thellë ekonomike, por edhe politike, sepse njerëzit ose rinia që do të duhet me qenë këtu me ndihmu zhvillimin e Kosovës, me bë edukimin dhe shkollim këtu, inteligjenca me qenë këtu, ata po ikin dhe është një shqetësim për të gjithë. Duhet të jetë shqetësim, jo për të ndërru siç deklarohen disa, për të shku njëra palë dhe për të ardh tjetra në pushtet, por është interes i Kosovës që ne të bëjmë gjithkah që të ndryshojë pamja e Kosovës përmes zhvillimit ekonomik dhe pastaj të tjerat”, pohon deputeti i PDK-së.
Sipas tij, inatet ndërpartiake që po mbizotërojnë ne politikën vendore, nuk janë aspak të mira për vendin, e sidomos kur ato përdoren edhe gjatë seancave solemne, siç ishte ajo për nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u mbajt të martën.
Haliti ka drejtuar kritika të ashpra për pozitën dhe opozitën, duke thënë se për ta kuptuar më së miri gjendjen e rëndë politike në vend dhe deri ku kanë arritur inatet ndërpartiake, apo edhe ato pozitë-opozitë, tregon më së miri mënyra e duartrokitjeve të selektuara që është bërë në ceremoninë e përvjetorit të Epopesë në Kuvend.
Dhe kjo gjë, sipas tij, lë një shije të keqe.
“Nuk është pyetje që kërkon shumë kohë me u përgjigj. Por, në qoftëse mendoni se si është skena politike në Kosovë, keni mund me e vërejt dje në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Vetëm nga mënyra se si protagonistë e politikës në Kosovë janë duartrokit lënë me kuptu që duhet shumë angazhim për të arrit që në disa çështje me qenë të unifikuar politikisht. Mendoj që dje ka qenë një festë për të gjithë dhe s’ më ka lënë shije të mirë për faktin se kur fliste kryetari parlamentar, cilido grup duartrokisnin vetëm grupi i tij, ose kur fliste kryeministri ose presidentja duartrokisnin vetëm njerëzit e tyre. Të paktën për këto raste duhet me pas tjetër qasje”, shprehet Haliti.
Sipas tij, partitë opozitare duhet të kenë një veprim të përbashkët në mënyrë që të bëjnë rezistencë politike.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë për mu ndonjë rëndësi të veçantë, zgjedhje mund të ketë. Unë po besoj që është duke u negociuar në qarqet e caktuara çështja e zgjedhjeve të mundshme, është diskutuar muaji korrik, është shtyrë po them, figurativisht ndoshta në vjeshtë. Për të mos dhënë data të sakta dhe pastaj çështja e zgjedhjeve është në duart e Albin Kurtit, sepse ai e ka shumicën në parlament dhe qeveria nuk bie në qoftë se ajo nuk donë me ra dhe në qoftë se nuk e rrëzon opozita”, thotë ai.
Haliti ironizon, duke thënë se Qeveria Kurti nuk mund të rrëzohet nga opozita përmes Facebook-ut.
“Opozita përmes Facebook-ut nuk mundet me e rrëzu qeverinë, por qeveria rrëzohet me aksion politik i njërës palë, cilësdo qoftë nga opozita aktuale, qoftë PDK, LDK, AAK, Nisma, nuk janë të bashkuar në veprim në aksion politik për ta rrëzu qeverinë me idenë që të vijë një qeveri më e mirë, një qeveri e cila ka një program që garanton zhvillim tjetër ekonomik dhe më të mirë dhe krijon hapësirë më të madhe për njerëzit, ndërton raporte më të mira me bashkësitë ndërkombëtare. Akoma njerëzit nuk janë të bindur, por për tu bindë dhe për tu mbështet opozita, duhet një unifikim dhe veprim i përbashkët, i pandërprerë mes protestave, dhe angazhimeve që kanë të bëjnë me rezistencën politike kundër qeverisë, ashtu siç po pretendohet që ka shkeljeje mëdha në fusha të caktuara të qeverisjes”, thotë ai.
Por, Haliti nuk u beson aspak sondazheve që po publikohen në disa media, të cilat po e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje të parën.
“Nuk është puna sa i besoj, ata që i kanë bë sondazhet i kanë bërë dhe duhet vlerësuar a janë të besueshme sondazhet a janë të besueshme apo nuk janë, ka sondazhe që bëhen të pavarura kryesisht nga ndërkombëtaret, ka edhe të porositura, dhe unë nuk kam prirje për t’i besu sondazheve që organizohen me porosi, por disa nga institucionet si OSBE, bëjnë sondazhe gjithmonë kanë tregu që janë realiste dhe pak a shumë nuk ja qëllojnë për një ose dy për qind”, pohon ai.
Hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, sipas deputetit të PDK-së, është në të mirën e gjithë Ballkanit.
“Është një arritur e jashtëzakonshme e qeverisë së Shqipërisë, për popullin shqiptar në përgjithësi, sepse Shqipërisë gradualisht po i besohet që të jetë qendër rajonale e vendim marrjes për rajonin dhe ushtarakisht, krijon qendrën e saj në Shqipëri, dhe Kosovë, është mirë për të gjithë në Ballkan. Kosova është nën ombrellën e NATO-s por fatkeqësisht akoma nuk është në NATO. Por, baza e NATO-s në Kuçovë është mirë për të gjithë rajonin, nuk është në dëm, të askujt duke përfshi këtu edhe Serbinë, nuk është ndërtu kundër Serbisë , është ndërtuar për operacione të shpejt atë NATO-s për ta mbrojtur dhe siguru rajonin”, përfundoi ai.
Ndryshe, Xhavit Haliti nga PDK në zgjedhjet e 2021, ka arritur t’i siguronte votat e nevojshme për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai atë kohë kishte siguruar 10 mijë e 562 vota, duke u renditur i 9-ti në listën e PDK-së./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës