Google ADS

Zgjedhje në pranverë?

20:35 | 27 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, thotë se tentimi për zhbërjen e Gjykatës Speciale nga koalicioni qeverisës do të detyrojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në pranverë.

Në Rubikon të KTV-së, Deda ka thënë se tentimi i javës së shkuar për zhbërje të Speciales ishte tentim që rrezikon shtetësinë e Kosovës dhe mund të kishte përmasa shkatërruese për vendin.

“Ka qenë një tentim që shumë mirë që dështoi. Shpresojmë që do të mbetet i dështuar. Ishte tentim që rrezikoi shtetësinë e Kosovës. Ishte e qartë se një vendim i tillë shkatërrues kishte me e kthyer Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe përmes Rezolutës 1244 do të suspendohej një pjesë e pavarësisë e do të themelohej Tribunali për Kosovë, i cili do të kishte mandat më të gjerë se që ka Gjykata Speciale”, ka thënë Deda duke shtuar se me suspendim të pavarësisë, Kosova do të mbetej sërish vend i izoluar dhe i pabarabartë me të tjerët.

Sipas Dedës, kjo tentativë e ka bllokuar Kosovën dhe i ka mbështetur qytetarët për muri.

“Aventura politike e udhëheqësve të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli e kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka bllokuar Kosovën. Askush s’i beson më udhëheqësve të shtetit tonë. Besoj se si epilog do të ketë zgjedhje parlamentare në pranverë”, ka shtuar Deda.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme