Zëvendëspresidentja e SHBA-së :Të forcojmë marrëdhëniet Kosovë-SHBA

14:53 | 4 Shtator 2021
L G

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris ka thënë se ishte kënaqësi të bisedonte me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për të falënderuar shtetin e Kosovës për mikpritjen e afganëve në kampin Bondsteel.

Harris në një postim në Twitter shkruan se me presidenten Osmani u pajtuan që të vazhdojnë forcimin e marrëdhënieve të rëndësishme SHBA-Kosovë.

“Ishte kënaqësi të flisja me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për të shprehur falënderimin e shtetit tonë për Kosovën për mikpritjen e afganëve në Kampin Bondsteel. Ne u pajtuam të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet e rëndësishme SHBA-Kosovë”, shkruan Harris.

Ndryshe, mbrëmë edhe Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.

Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede.

Me këtë rast, Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë.

Palët u tha se kanë diskutuar dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, zv.presidentja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës.

Presidentja Osmani e ka ftuar zv.presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

Të ngjashme