Google ADS

Zëvendësministri Shkodra: Kosova ka shënuar progres në avancimin e grupeve minoritare

17:23 | 1 Shkurt 2018
M. A.

Në Prishtinë është mbajt tryeza: ”E ardhmja e nënshtetësisë dhe liria e lëvizjes së pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komunitete jo shumicë në Kosovë”.

Kjo tryezë u organizua nga organizata ECMI Kosova, ndërsa në panel të kësaj tryeze mori pjesë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra.
Zv Ministri Shkodra tha se Kosova ka shënuar progres duke ofruar barazi për të gjitha grupet minoritare në Kosovë.

“Në këtë drejtim Kosova ka shënuar progres, duke krijuar një model politiko-kushtetues, më të avancuarin në rajon dhe në Evropë, i cili garanton barazinë në mundësi, integrimin e plotë institucional dhe pluralizmin shoqëror e politik të të gjitha grupeve e minoriteteve në Kosovë”, ka thënë Shkodra.

Bashkëngjitur keni fjalimin e plotë të zëvendësministrit Shkodra në këtë tryezë.

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Garantimi i të drejtave të pakicave, integrimi dhe akomodimi i tyre në sistemin socio-politik është një prej sfidave me të cilat përballen demokracitë sot, sidomos demokracitë e reja, ku bën pjesë edhe Kosova. Është pikërisht avancimi dhe garantimi institucional i të drejtave të minoriteteve që i dallon demokracitë liberale nga ato jo liberale. Megjithatë, nuk ka një model të veçantë që mund të jetë i përdorshëm për të gjitha kontekstet socio-politike.

Në këtë drejtim Kosova ka shënuar progres, duke krijuar një model politiko-kushtetues, më të avancuarin në rajon dhe në Evropë, i cili garanton barazinë në mundësi, integrimin e plotë institucional dhe pluralizmin shoqëror e politik të të gjitha grupeve e minoriteteve në Kosovë. Kosova mund të krenohet me këtë model, i cili krijon hapësirë, inkurajim, dhe garancinë për të drejta të barabarta për të gjitha minoritet, dhe grupet e ndryshme në Kosovë. Për më tepër, Republika e Kosovës fuqizon integrimin dhe pjesëmarrjen e minoriteteve në vendimarrjen politike lokale përmes decentralizimit, ndërsa në nivelin qendror së drejtës së vetos, në të gjitha çështjet që implikojnë amandamentim ose ndryshim të rendit kushtetues, dhe në ligjet që prekin direkt çështjet e minoriteteve.
Për më tepër, duke u bazuar në parimet e demokracisë liberale dhe pluralizmit shoqëror e politik, themelet e Republikës së Kosovës janë të ndërtuara mbi konceptin e qytetarit, ku secili qytetar i Kosovës është i barabartë dhe i lirë të organizoj jetën e tij në bazë të vlerave dhe orientimeve individuale, pavarësisht përkatësisë etnike, religjioze, gjinore, racore, orientimit seksual, etj. Këto të drejta dhe liri janë të garantuara në mënyrë eksplicite me aktin më të lartë juridik në Kosovë, vlerë kjo që nuk e hasim shpesh edhe në kushtetutat e demokracive më të konsoliduara.

Megjithatë, në aspektin e zbatimit të normave kushtetuese dhe ligjore, Kosova vazhdon të ketë sfida në fushën e sundimit të ligjit në përgjithësi, si rezultat i institucioneve në konsoldim e sipër. Sfida këto që përhapen edhe në aspektin e zbatimit në tërësi të të drejtave dhe lirive të minoriteteve të ndryshme. Është e rëndësishme të theksohet që ngecjet në këtë drejtim nuk janë të shtyra për të diskriminuar grupet minoritare, por janë rezultat i sfidave institucionale në funksionalizimin e plotë të shtetit të së drejtës, sidomos në komunat e veriut, ku shteti fqinjë, Serbia, i dekurajonë vazhdimisht komunitetin serb që të zhvillojnë lojalitetin e tyre ndaj shtetit të Kosovës, duke u përpjekur të sabotoj shtetin e Kosovës, përkundër garancive kushtetuese që ofron shteti i Kosovës për të gjithë qytetarët e saj. Gjithashtu, ajo që duhet theksuar, është orientimi i drejtë dhe përkushtimi i institucioneve të Kosovës, dhe konsolidimi gradual i tyre drejt implementimit në tërësi dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vlerave kushtetuese të krijuara në frymën e liberal demokracisë.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë zotuar dhe janë përgjegjëse për zbatimin e rendit kushtetues, për të bërë Kosovën vend të lirë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, vlerësojmë lartë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve dhe shoqërisë kosovare në zhvillimin e qëndrueshëm demokratik dhe transformimin socio-politik që është i domosdoshëm në përmbushjen e objektivave kushtetuese të Kosovës.
Ju faleminderit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme