Zëvendësministri i shkarkuar largohet nga NISMA

20:53 | 6 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ish-zëvendësministri i Jashtëm , Besnik Hoti, ka marrë vendim për t’u larguar nga Partia Socialdemokrate vetëm një javë pasi kryeministri Ramush Haradinaj e liroi nga atë detyra e zëvendësministrit.

Hoti ka thënë për klankosova.tv se partia të cilës i takonte dhe kryetari i saj, Fatmir Limaj, e kanë marrë vendimin për lirimin nga detyra pa asnjë arsyetim derisa ishte duke punuar në disa projekte në MPJ.

“ Nuk kishte bazë apo ndonjë dyshim që unë nuk po e kryej punën si duhet, prandaj vendimi tyre ishte i paarsyeshëm. Ata nuk më lanë më hapësirë për të qëndruar në këtë parti”.

Hoti ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit që nga nëntorit i vitit 2017 dhe ishte i fokusuar kryesisht në Diplomacinë Ekonomike dhe Akademinë Diplomatike.

Ai është djali i dëshmorit nga Krusha e Madhe, Fahredin Hoti.

Më poshtë deklarata e plotë e Hotit:

Të nderuar kolegë, miq dhe dashamirë,

Këto ditë kanë qenë intensive dhe vendimtare për mua. Angazhimi dhe puna si zëvendësministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, ishte një nga përvojat më të vyera dhe jetike për mua.

Puna me ministrin Z. Pacolli,  elaborimi i diplomacisë ekonomike në promovimin e resurseve të komunave të Kosovës dhe thellimi e konsolidimi me partnerët ndërkombëtarë e diasporën, ishte baza e punës sime. Ky pa diskutim, mbetet një prioritet kyç në të ardhmen e afërt, shtruar nga nevojat e kohës dhe sfidat e zhvillimit që ka vendi ynë. Diplomacia ekonomike është një risi në boshtin strategjik dhe prioritetin kombëtar që ka Ministria e Punëve të Jashtme. Interesi kombëtar i pari, zhvillimi ekonomik dhe qytetari.

Njohja ime me politikën e jashtme dhe mënyrën e funksionimit të diplomacisë nuk ishte një njohje e orëve të fundit dyerve të politikës dhe tryezës së partisë. Është më shumë se kaq, një përvojë e cila kishte ardhur si dëshmi e angazhimit tim si profesionist i marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën akademike dhe kualifikimin në institucionet ndërkombëtare. Pata rastin të jap inputin edhe në përshpejtimin e ritmit reformues në Akademinë Diplomatike të MPJ-se. Për një kohë të shkurtër themeluam Bordin e Akademisë, i cili përbëhet nga personalitete të shquara publike me ekspertizë në fushën e politikës së jashtme, diplomacisë e së drejtës ndërkombëtare. Për këto suksese i jam mirënjohës çdo kolegu, miku apo shoku që më ka qëndruar pranë në këtë detyrë, me përgjegjësi të lartë morale në mbrojtje dhe shërbim të interesit kombëtar.

Përpos kësaj, unë kam qenë pjesë e subjektit politik Nisma Socialdemokrate, një parti politike në koalicion qeverisës. Duke qenë se jam liruar nga detyra shtetërore, si intelektual dhe qytetar i Republikës së Kosovës, tashmë po dëshmoj disa të vërteta në lidhje me angazhimin tim te Nisma.

Kur më është komunikuar propozimi për të qenë pjesë e Nismës ka qenë një kohë e shkurtër e cila nuk me ofronte shumë mundësi për racionalitet por, për veprim. E pranova ftesën për të qenë pjesë e Nismës, me vullnetin dhe dëshirën e madhe se në gjirin e saj kishte njerëz, të cilët kanë kontribuar në luftë e paqe për shtetin tonë, politikanë me eksperiencë të cilët shfaqën gatishmërinë teorike për të ofruar një model tjetër qeverisjeje, një model socialdemokrat me qytetarët të parët dhe pushtetarët në shërbim të tyre, por e vërteta ishte ndryshe. Nisma e ideve të mëdha teorike, u kthye në nismën e vogël të vendimeve të ngushta thellësisht klienteliste në tryezën e torbën e interesit.

Së bashku me studiuesit e sistemeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Evropa, e projektuam e krijuam modulin e ngritjes së një instituti socialdemokrat, një institut me një filozofi të mirëfilltë socialdemokrate dhe metodologji kuptimore, që do e afronte partinë dhe politikën më pranë rinisë e cila dita ditës po ike nga ky vend. Një institut i cili do të përgatiste liderët e së ardhmes dhe socialdemokratët e vërtetë, për të cilët ka nevojë Kosova. Por, edhe ky projekt ashtu si edhe të tjerët dështoi, sepse mungonte vullneti për të bërë gjëra të mira dhe te mëdha, por jo ego për të menduar interesat e ditës, “të hamë sot dhe të mos mendojmë për nesër”.

Si një bir dëshmori, në emër të dashurisë për kombin, lashë Amerikën vendin e demokracisë dhe zhvillimit, për t’u kthyer në Kosovë, çmimin e lirisë së të cilës e paguam me gjakun e babait, vëllait dhe gjyshit tim, për të çuar përpara misionin human dhe premtimin që i kisha bërë babës për të mos e braktisur këtë tokë dhe të bëja për të tjerët pa pritur çfarë mund të bënin ata për mua. Të jepja kontributin tim modest në ngritjen dhe çuarjen përpara të procesit zhvillues dhe integrues të vendit. Por, kur një parti politike e cila idealin e dëshmorit e ka postulat të saj, harron misionin për të cilin është ndërtuar, harron që demokracia është ajo që sjell zhvillim dhe pluralizmi zgjerim, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të largohem nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate.

Si intelektual në kërkim të angazhimeve të reja, mbetem me shpresë se ky vend do të shkoj përpara, me çdo kusht dhe çdo çmim lirie. Kosova është një projekt amerikan dhe si i tillë do dëshmoj me kohë bujarinë, vullnetin dhe angazhimin e ofruar nga miqtë tanë.

Në Asamblenë Komunale të Rahovecit do të jem zëri i pavarur i qytetarëve të Rahovecit.

Me respekt,

Besnik Fahredin Hoti

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme