Google ADS

Zëvendësministri i Arsimit ka edhe kontratë të përhershme në Telekom

12:29 | 24 Qershor 2020
M. A.

Emërimi i Driton Bardhecit në postin e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë ka bërë bujë të madhe në mediat vendore.

Kjo pasi që i emëruari si zv.ministër Driton Bardheci është student i cili ende nuk i ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht ka notën mesatare 6.8.

Përpos kësaj, i propozuari nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj për zëvendësministër posedon edhe një kontratë pune të përhershme në Telekom.

Portali arbresh.info mëson se Driton Bardheci ka kontratë të përhershme në Telekomin e Kosovës.

Në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës, në Postë u raportua se kishte punësime të shumta partiake.

Ndër to ishte edhe punësimi i kryetarit të rinisë së AAK-së, Driton Bardhecit i cili sot u shpërblye me postin e zëvendësministrit.

Arbresh.info merr vesh se ai aktualisht ka kontratë të përhershme si punëtor në Telekomin e Kosovës.

Për punësimin e tij në Telekom kishte reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në kohën sa ishte në opozitë kur shtetin e udhëhiqte Ramush Haradinaj.

Emërimi i tij si zv.ministër u cilësua nga Organizata Studentore ‘Studim, Veprim, Kritikë”, si goditje e rëndë për arsimin në Kosovë.

“Sot, u njoftuam se Driton Bardheci është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë për arsimin në Kosovë pas emërimit të plagjiatit Ramë Likaj si Ministër i Arsimit”, thuhet në reagimin e tyre./arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme