Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë kallëzimin penal të Policisë së Kosovës ndaj ish-zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.
Ky dyshohet se ia kishte kërkuar kompanisë private “Bylmeti KS” 30 mijë euro ryshfet për t’ia dhënë një grant në vlerë prej 200 mijë eurosh nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, madje marrëveshja ishte bërë që ryshfeti të paguhej në dy këste, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, u kërkonte ryshfete të majme bizneseve private, në mënyrë që këto të përfitonin grante qeveritare.
Zëvendësministri Cena ditë më parë është arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilit më pas Gjykata Themelore ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji, përderisa pas këtij vendimi Cena është shkarkuar nga detyra me vendim të kryeministrit Ramush Haradinajt.
Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë kallëzimin penal të Policisë, në të cilin përshkruhet në detaje i gjithë skenari për përfitimin e 30 mijë eurove ryshfet nga zëvendësministri Cena dhe nga dy “bashkëpunëtorët” e tij, përkatësisht shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit Nusret Shala dhe Hazër Shehu, pronari i kompanisë private “Gentle Research”, të cilët dyshohen për veprat penale: “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës dhe i autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit”.
Tre të dyshuarit, sipas kallëzimit penal të siguruar nga gazeta “Zëri”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Afrim Berisha, pronar i kompanisë “Bylmeti KS” me rastin e aplikimit për grant në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, shkruan tutje gazeta “Zëri”.
I dëmtuari Berisha, duke vepruar sipas procedurave për aplikim në procesin e granteve, ka kontaktuar me kompaninë konsulente “Gentle Research”, me tashmë të dyshuarin Hazër Shehu, pronar i kësaj kompanie, i cili ia kishte përpiluar të dëmtuarit planin e biznesit në vlerë prej 400 mijë eurosh, ku për 50 për qind të kësaj vlere ishte kërkuar mbështetje nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).
Në fazën kur kompania e të dëmtuarit (Afrim Berisha) ishte shpallur në listën e fituesit potencial të grantit në vlerë prej 200 mijë eurosh, i dyshuari Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”, sipas kallëzimit penal të Policisë kishte kërkuar nga i dëmtuari pagesën prej 15 për qind të vlerës së grantit si ryshfet, me arsyetim se këto para po i kërkojnë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB). Tutje në këtë kallëzim thuhet se i dyshuari Hazër Shehu kërkesën për ryshfet e kishte bërë më 12 tetor 2018, rreth orës 10:30, në takimin që kishin pasur me të dëmtuarin Afrim Berisha në kafenenë “Mrika”. në Fushë Kosovë.
Derisa lajmërimi i rastit nga i dëmtuari në Njësitin Kundër Korrupsion të Policisë së Kosovës ishte bërë tre ditë më vonë më 15 tetor. Pas këtij lajmërimi Policia kishte nisur veprimet hetimore, duke përfshirë këtu masat e fshehta dhe teknikë të hetimit.
Granti 200 mijë euro, 30 mijë euro ryshfet për zëvendësministrin
Nga hetimet policore është zbuluar se në kërkim të ryshfetit ishin të përfshirë pronari i kompanisë konsulente “Gentle Research” Hazër Shehu, shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, si dhe zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal Musa Cena.
Nga përgjimet e bëra del që i dyshuari Hazër Shehu i kishte thënë tashmë të dëmtuarit Afrim Berishës se vetë zëvendësministri Cena ia kishte kërkuar atij të gjejë një person që ka aplikuar për ndonjë grant më të madh në mënyrë që t’i ndihmonte, por në kompensim të kësaj atyre t’u jepeshin 15 për qind të grantit të fituar.
“Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, duke qenë edhe bashkëvendës i imi, pas takimit që ka pasur në korrik të këtij viti në kafenenë ‘Monaco’ ka kërkuar prej tij (Hazër Shehut) që ta gjejë një person, i cili ka aplikuar për ndonjë grant të madh, në mënyrë që t’i ndihmojë në përfitimin e këtij granti, mirëpo që për këtë duhet të paguhen 15 për qind e grantit të fituar”, thuhet në kallëzimin penal të siguruar nga “Zëri”.
Pasi i dyshuari Hazër Shehu kishte përgatitur planin e biznesit për kompaninë “Bylmeti KS”, kishte shkuar te pronari i kësaj kompanie dhe i kishte treguar për ofertën që ia kishte bërë zëvendësministri Musa Cena.
“Më është ofruar një person, i cili mund të më ndihmojë në përfitimin e grantit, mirëpo që për këtë ai ka kërkuar 15 për qind të vlerës së grantit”, i kishte thënë Afrim Berishës i dyshuari Hazër Shehu, thuhet në kallëzimin penal të Policisë.
Më vonë, në shtator të këtij viti, tre të dyshuarit ishin takuar në kafenenë “Toska” në Rahovec, gjatë bisedës njëri nga të dyshuarit, në këtë rast zëvendësministri Cena, i kishte thënë të dyshuarit tjetër Hazër Shalës se nga tash e tutje për punën e grantit ta ketë si kontakt personin që e quante Plator Shala e që në fakt ishte i dyshuari i tretë Nusret Shala. Ky i fundit kishte kërkuar nga i dyshuari tjetër Hazër Shehu që sa më shpejt t’ia dorëzojë paratë, pasi në të kundërtën do t’i refuzohej granti kompanisë “Bylmeti KS”.
Presione për pagesën e ryshfetit
Dy të dyshuarit, zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, kishin bërë presion të vazhdueshëm te i dyshuari tjetër Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research” që t’i marrë paratë nga i dëmtuari Afrim Berisha, pronar i kompanisë “Bylmeti KS”.
Kështu nën presionin e zëvendësministrit Cena dhe të të dyshuarit tjetër Nusret Shalës, i dyshuari i tretë, Hazër Shehu ishte takuar me të dëmtuarin Afrim Berisha, ku i kishte treguar për vlerën të cilën po e kërkonin Cena dhe Shala. Mirëpo pronari i kompanisë “Bylmeti KS” kishte deklaruar se kjo shumë ishte e madhe dhe kjo i ishte përcjellë Cenës e Shalës përmes të dyshuarit Hazër Shehu. Takimi mes të dyshuarve kishte vazhduar prapë, por tash në “Herta Center” në Fushë Kosovë, ku Nusret Shala i kishte thënë Hazër Shehut se pranon të zbresë shumën e ryshfetit nga 30 mijë në 25 mijë euro. Madje kjo pagesë ishte mundësuar të bëhej me dy këste, kësti i parë në vlerë prej 15 mijë eurosh ishte caktuar të bëhej deri më 18 tetor të këtij viti, ndërsa shuma prej 10 mijë eurosh do të bëhej pasi të nënshkruhej kontrata.
Por më 20 tetor, e shtunë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policës së Kosovës, duke vepruar sipas urdhëresave të Prokurorisë dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake, si urdhëresa për përgjim të telekomunikimeve, urdhëresa për videoincizim në vende publike e private, ishte zhvilluar një operacion policor, ku ankuesi Afrim Berisha duke vepruar nën monitorimin e Policisë ia kishte dorëzuar Hazër Shehut paratë në vlerë prej 15 mijë eurosh.
Para se të fillonte takimi në mes të dyshuarit Hazër Shehu dhe të dëmtuarit Afrim Berisha, dy të dyshuarit tjerë Nusret Shala dhe zëvendësministri Musa Cena e kishin telefonuar të dyshuarin Hazër Shehu, duke e pyetur nëse pagesa në vlerë prej 15 mijë eurosh do të bëhej atë ditë, 20.10.2018. Takimi në mes të dyshuarit Hazër Shehu dhe pronarit të kompanisë “Bylmeti KS” ishte bërë në kafenenë “Kafeneja Jonë”, në Prishtinë, nën monitorimin e Policisë. Por gjatë këtij takimi i dyshuari Shehu i kishte kërkuar të dëmtuarit Afrim Berishës që paratë t’ia dorëzonte në zyrën e tij. Pasi paratë i ishin dorëzuar në zyrën e tij kishte intervenuar Policia dhe gjatë kontrollit në zyrën e Hazër Shehut ishin gjetur 15 mijë euro. Pas arrestimit nga Policia i dyshuari Shehu kishte pranuar të bashkëpunojë me Policinë, duke treguar se paratë në vlerë prej 15 mijë eurosh kishte për qëllim t’ia dorëzonte të dyshuarit tjetër Nusret Shalës dhe me këtë rast ai kishte pranuar që nën mbikëqyren e Policisë t’ia dorëzonte ato Nusret Shalës.
Ndërkohë Prokuroria është e bindur se ka prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzës në këtë rast.
Berisha: Gjatë javës pritet të caktohet prokurori
Në një prononcim për gazetën “Zëri” prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka bërë të ditur se sipas dyshimeve të mirëbazuara më 20 tetor është arrestuar zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal Musa Cena, shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec, si dhe Hazër Shehu pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”, të cilët në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Prokurori Berisha u shpreh se brenda kësaj jave pritet të caktohet prokurori i rastit, i cili do t’i hetojë dyshimet për përfshirje në ryshfet dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, dhe dy të dyshuarve të tjerë, shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, si dhe Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”.
“Bëhet fjalë për një grant, ku i dëmtuar është Afrim Berisha, pronar i kompanisë ‘Bylmeti KS’, i cili e ka fituar grantin në shumë prej 200 mijë eurosh, ndërsa pjesën prej 15 për qind të dyshuarit kanë kërkuar t’ua japë atyre. Rasti ende nuk i është ndarë ndonjë prokurori, mirëpo sipas të gjitha gjasave kjo çështje do të shkojë në Njësitin për Korrupsion që e kemi të organizuar brendapërbrenda Prokurorisë dhe kjo pritet të bëhet gjatë kësaj jave”, ka thënë Berisha. Ai pohon se nga provat e siguruara nga Prokuroria të dyshuarit do të shpallen fajtorë në gjykatë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...