Google ADS

Zëvendëskryeministri Bislimi merr pjesë në tryezën me temë “Presidenca Çeke e BE-së 2022 dhe Ballkani Perëndimor”

21:38 | 21 Korrik 2022
E.H

“Kosova ka pritje të mëdha nga Presidenca Çeke, ne e përshëndesim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe besojmë që ka qenë veprim i duhur për perspektivën evropiane të rajonit. Thërrasim Presidencën Çeke që momentumin pozitiv ta vazhdojë me vendimin e vonuar, tashmë më shumë se katër vite për liberalizimin e vizave”.

Kështu u shpreh Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian, me temë “Presidenca çeke e BE-së 2022 dhe Ballkani Perëndimor”.

Para 3 ditësh u bënë 4 vite nga konfirmimi i KE-së se janë përmbushur 95 kritere për liberalizimin e vizave.

Derisa vitin e fundit, Kosova ka vazhduar që të tregohet e përkushtuar në reformat e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe migrimit.

Zëvendëskryeministri Bislimi, tha se në luftimin e korrupsionit është ndërruar tërësisht imazhi i Kosovës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ngritja në 17 vende në “Transparency International”, dhe së fundmi Raporti i Parlamentit Evropian ka mirëpritur intensifikimin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjithashtu në sundimin e ligjit, nga World Justice Index jemi shpallur të parët në rajon.

Në fushën e migrimit, Kosova ka ndërtuar kapacitetet institucionale dhe kornizën legjislative të nevojshme për menaxhimin e migrimit.

Gjithashtu, kemi të nënshkruara 26 Marrëveshjet për Ripranim me 22 vende anëtare të BE-së.

Gjitha këto kanë bërë që Kosova të ketë numrin më të vogël në rajon të azilkërkuesve pas Malit të Zi.

Në tryezë u fol edhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rreth kësaj, zëvendëskryeministri Bislimi, tha se vitin tjetër bëhen 20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim.

Perspektiva evropiane duhet të përkthehet në perspektivë për anëtarësim të plotë në BE, e aplikimi ynë është përpjekje për të konkretizuar këtë të fundit, për të cilën kemi mbështetjen mbi 90% nga popullsia dhe konsensus të gjerë të partive politike.

Në këtë tryezë ishin prezent dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, z.Tomáš Szunyog dhe Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.​/arbresh.info/

 

 

Të ngjashme