Zëvendësguvernatori Fusha takoi përfaqësuesit e Bankës së Italisë, diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së

11:05 | 14 Mars 2024
K.B

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Dardan Fusha me ekipin e tij priti në takim përfaqësuesit e Bankës së Italisë (Banca d’Italia), Gianluca Maddaloni dhe Roberto Zuccala, si pjesë e misionit për mbështetjen e BQK-së në fushën e operacioneve me para të gatshme, në kuadër të Programit për Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Integrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe Banka Qendrore Evropiane (ECB) i financuar nga Bashkimi Evropian.

BQK njofton se qëllimi i kësaj vizite pune dyditore është në mbështetje të BQK-së për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike, si dhe praktikave për operacionet me para të gatshme, si vijim i misionit paraprak për këtë qëllim të realizuar në nëntor të vitit 2023, ku u shqyrtua korniza ligjore e BQK-së për çështjen e operacioneve me para të gatshme.

“Zëvendësguvernatori Fusha gjatë këtij takimi njoftoi përfaqësuesit e Bankës së Italisë lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përfshirë planin për avancimin e luftimit të dukurisë së parave të falsifikuara dhe modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të BE-së (SEPA)”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës, me theks të Banca d’Italia ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e shumë proceseve dhe praktikave në kuadër të BQK-së. Fusha përmendi se është sidomos i rëndësishëm ky mision që ndërlidhet me zhvillimet aktuale lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe aktivitetet e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet tjera vendore në luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara, si dhe ruajtjen e integritetit të valutës Euro.

Gjithashtu, palët diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së për digjitalizimin e shërbimeve financiare me fokus uljen e përdorimit të parave të gatshme, në linjë me rekomandimet e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u diskutua edhe procesi i nisur ndërmjet dy bankave qendrore për të studiuar më hollësisht mundësinë e bashkëpunimit në adaptimin e një zgjidhjeje me Bankën e Italisë, për mundësimin e inicimit dhe shlyerjes së pagesave të shpejta në nivel lokal dhe me objektiv final ndërlidhjen me Sistemin e Pagesave të BE-së (TIPS).

Në fund, Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Italisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejt zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata drejt avancimit të kornizës ligjore dhe infrastrukturës teknike të shërbimeve financiare dhe integrimit me skemën dhe sistemet evropiane të pagesave./Arbresh.info/

Të ngjashme