Zenun Pajaziti: Transformimi i FSK-së është proces i pakthyeshëm

21:50 | 15 Mars 2017
M. A.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, vendosshmërinë e presidentit Hashim Thaqi për transformimin e FKS-së e sheh si përmbushje të një zotimi, përderisa ka thënë që e kthen vëmendjen edhe më shumë të ndërkombëtarëve.

Në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan Greg Delawi, i cili ka thënë që transformimi i ushtrisë nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, Pajziti ka thënë që procesi i FSK-së deri tani ka shkuar në koordinim me ndërkombëtarët dhe se ditëve dhe javëve në vijim pritet që të dakordohen për vazhdimin e procesit.

“Fakti që ndërkombëtaret nuk janë kundër ushtrisë është shumë i rëndësishëm, por mënyra e koordinimit nxori në pah një qëndrim të tillë të ambasadorit. Ditët, javët dhe muajt në vijim janë një shanse, një periudhë ku duhet të koordinohet ky proces. Është një proces i pakthyeshëm. Ajo që duhet të shohim më mirë është koordinimin me partnerët” ka thënë Zenun Pajaziti në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Tutje Pajaziti ka thënë që zhagitja e procesit të transformimit të FSK-së, do të shkaktonte probleme më të mëdha për ndërkombëtarët në Ballkan.

“Nevoja e bërjes se ushtrisë është e madhe e sidomos një zhagitje më e madhe e mundshme do të krijonte situata ku edhe partneret tanë do të kishin probleme më të mëdha. Nuk mund të bëhet fjalë e as që duhet të flitet për një prishje të partneritetit. Presidenti është i përgjegjshëm për veprimet e tij” deklaroi deputeti Zenun Pajaziti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme