Zemaj tregon nëse do ndryshohen, apo do vazhdohet me këto masa edhe në dy javët e fundit të këtij viti

18:55 | 14 Dhjetor 2020
L G

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se masat e marra sipas kategorizimit të komunave kanë dhënë efekt dhe sipas tij është e domosdoshme të vazhdohet tutje me ato masa, teksa paralajmëroi se do të marrin masa të reja për fundvit.

Kështu është shprehur ai pas takimit virtual me kryetarët e komunave, ku u bë vlerësimi i situatës epidemiologjike, raporton arbresh.info.

“Në takimin e sotëm virtual me kryetarët e komunave, kemi bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në vend si dhe një bashkërendim se si të ecim tutje në këtë dy javët e fundit të vitit. Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa. Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë”, shkruan Zemaj.

Zemaj ka ftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe të zbatojnë masat anti Covid, teksa paralajmëroi se masa të reja do të merren për fundvit.

“Ne e kemi obligim ligjor, obligim ndaj qytetarëve, secili në përgjegjësit e veta, në radhë të parë ta ketë ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, si prioritet mbi prioritetet. Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti Covid për fund vit”, shkruan ai.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me kryetarët e komunave dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku është diskutuar për masat e reja antiCOVID-19.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim janë dakorduar se mbyllja e tërsishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes./arbresh.info/

Të ngjashme