Qeveria e ka miratuar sot koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Yll Zekaj, që është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se nëse bëhet një ligj i tillë do ta ndryshojë krejtësisht konceptin e konfiskimit të pasurisë në Kosovë.
“Sot Qeveria e Kosovës miratoi koncept dokumentin e dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë me të cilin tentohet që të bëhet një ligj me të cilin do të konfiskohet pasuria e pajustifikueshme. Në bazë të analizave të këtij koncept dokumenti shihet se do të ndryshojë në tërësi koncepti i konfiskimit të pasurisë në Kosovë duke kaluar nga ai penal në konfiskimin e pasurisë të natyrës civile. Për herë të parë në Kosovë do ta kemi mundësinë e konfiskimit të pasurisë pa u shpallur një person fajtor dhe pa pasë një aktgjykim të plotfuqishëm përmes një procedure civile e cila siç u shpjegua sot do të zbatohet përmes një agjencioni të pavarur që do të mandatohet për zbatimin e këtij ligji”.
Zekaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se shpreson që Ministria e Drejtësisë për këtë ligj është konsultuar me Ambasadën Amerikane dhe Zyrën e BE-së të cilat kanë investuar shumë për sundimin e ligjit në Kosovë.
“Koncept dokumenti është fazë e hershme e hartimit të legjilsacionit që e përcakton vetëm qëllimin për të rregulluar një gjendje. Ne deri më tani nuk e dimë nëse Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës, për përgatitjen e këtij koncept dokumenti është konsultuar dhe ka bashkëpunuar me partnerët tanë ndërkombëtarë që janë Zyra e BE-së dhe Ambasada Amerikane të cilat kanë investuar një kohë të gjatë profesionalizëm dhe më shumë mjete për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë. Shpresoj që së shpejti Ministria e Drejtësisë do të formojë grupet punuese ku ata gjithsesi duhet të jenë pjesë me qëllim që ky ligj të sigurojë që të respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve fillimisht”.
“Për IKD-në çdo iniciativë që ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që do të rezultonte me konfiskimin e pasurisë, është i mirëseardhur dhe i mirëpritur. Kemi pasë edhe më herët një ligj me kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë i cili ka lejuar që nëse një person shpallet fajtor me aktgjykim të plotfuqishëm jo vetëm të konfiskohet pasuria e fituar nga ajo vepër penale, por edhe të kthehet dhe t’i hetohet pasuria edhe për 10 vjetët e mëhershme. Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë përkrahje ndërkombëtare, të jetë në përputhje me konventat evropiane dhe gjithashtu të mos cenojë rendin juridik dhe kushtetues të vendit”.
Por, cila është shuma e parave që mund të konsiderohet pasuri që nuk mund të justifikohet?
“Me këtë koncept dokument merren modele të shteteve të ndryshme. Lartësia e vlerës së pasurisë së pajustifikueshme merret kryesisht nga sistemi irlandez e cila është saktë e përcaktuar ‘se çdo pasuri e fituar që nuk mund të justifikohet dhe është më e lartë se 5000 funta konfiskohet’. Problemi nuk qëndron te ligji, por te personat që e bëjnë zbatimin e ligjit. Nga monitorimi sistematik që i bëjmë sistemit të drejtësisë kemi parë plot raste kur edhe pse është vërtetuar vepra penale, prokurorët nuk kanë bërë kërkesë për konfiskimin e pasurisë’.
Zekaj nga IKD ka deklaruar se Vettingu dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme – të dyja premtime të Qeverisë Kurti 1 dhe 2 – e përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Kur kemi një proces të Vettingut dhe një ligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme mendimi jonë është që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Qeveria me të drejtë nuk po beson në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, sepse kemi të bëjmë me mungesë të integritetit dhe profesionalizmit, atëherë si mund një ligj i tillë të kalojë në duart e këtyre personave të cilët kanë integritet të kontestuar?”.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...