Zeka: Lajm i mirë, rangimi i Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në Transparency International

00:17 | 26 Janar 2022
Trina Galanxhi

Për vitin 2021, në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova u ngrit për 17 pozita më lart në luftimin e korrupsionit.

Kjo, sipas Yll Zekës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është një gjë pozitive për vendin.

“Çdo lajm që Kosovën e vë në një vlerësim më të mirë ndërkombëtar është lajm i gëzueshëm. Kjo na gëzon pasi jemi mësuar të dëgjojmë vetëm lajmë të këqija për rangime ndërkombëtare, kurse ky lajm është paksa një shpresë, edhe pse është një lajm i perceptimit për korrupsionit dhe jo matje kualitative e luftimit të korrupsionit në vend. Kështu që Kosova dhe qytetarët e saj duhet t’i gëzohen kësaj”, ka thënë Zeka në Edicionin Special në Klan Kosova.

Ai ka sqaruar se çfarë është indeksi i perceptimit, si dhe ka thënë se Kosova që nga viti 2017 kishte rënie në këtë listë.

“Tregon klimën se si vlerësohet në opinionin publik luftimi i korrupsionit në vend. Kemi pasur një regres, sidomos nga vitit 2017, që vit pas vitit, e ka vendosur Kosovën më poshtë, tanimë kemi një ngritje”.

Tutje, Zeka ka thënë: “Prapë se prapë dua të potencoj se nga monitorimi sistematik që ia bëjmë sistemit të drejtësisë, nuk shohim një ndryshim kualitativ në luftimin real të korrupsionit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme