Sot në Obiliq është zbuluar shtatorja e heroit të kombit, Fahri Fazliu, i cili u përjetësua në bronz në qytetin ku ai jetoi dhe veproi për atdheun e tij, kundër okupatorit jugosllav, për të rënë më pas në altarin e lirisë dhe për të mos vdekur kurrë në nëntor 1989, me shokun e tij të idealit, Afrim Zhitia.
Zbulimin e shtatores e bëri përfaqësuesi i familjes legjendare të Jasharajve të Prekazit, Rifat Jashari. Për këtë ngjarje, në pamundësi të prezencës, telegram urimi ka dërguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se për jetën e Fahri Fazliut, flasin vetë veprat e tij patriotike dhe shokët e tij të luftës, si dëshmi e gjallë e veprës heroike të tij, raporton Arbresh.info
“Fryma patriotike dhe ajo e rilindjes janë platforma për ide dhe frymëzim për secilin që i hyn rrugës patriotike shqiptare. Ai po përjetësohet në bronz në sheshin e qytetarëve për të cilët luftoi dhe dha jetën.”, tha kryeministri Kurti në telegramin e tij.
Prezent në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili tha se shkëlqimin Fahri Fazliut ja jep edhe më shumë sepse kjo shtatore po ngritet nga institucionet që ai dha jetën dhe gjakun. “Organizata që i takonte Fazliu ka patur qendrën koordinative e gjitha aktiviteteve dhe demonstratave që ndodhnin në Kosovë. Aty i është dhënë drejtim të gjitha lëvizjeve, ku Fahriu dhe Afrimi ishin aktorë kryesorë”, tha Ahmeti.
I biri i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, theksoi se jeta dhe vepra e Fahri Fazliut nuk duhet harruar asnjëherë.
“Ne duhet të jetësojmë amanetin e dëshmorëve duke qenë të bashkuar dhe të unifikuar dhe ta ndërtojmë një të ardhme të mirë dhe të shëndetshme për gjeneratat që vijnë pas nesh”, tha Jashari. E bashkëveprimtari i Fazliut, njëherësh kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se zbulimi i shtatores nuk po ndodhë rastësisht sot, sepse veprimtaria e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë ishte udhërrëfyes për shumë të rinj që merrnin rrugën atdhetare.
“Trimëria, mencuria, guximi dhe ideali për çlirim e bashkim mbetet inspirimi im. Jeta dhe vepra e tij dhe dëshmorëve është dëshmi e gjallë e rrugës së mundimshme për liri e shtetndërtim”, tha Gashi para të pranishmëve.
Kryetari i Shoqatës së familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se duke nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Fahri Fazliut nderohen dhe kujtohen gjithë dëshmorët, dhe fryma patriotike shqiptare.
“Liria është e suksesshme kur e fitojmë me gjakun tonë, ne këtë e kemi bërë dhe në vend të përçarjes na duhet bashkim. Sot dhe nesër për realizimin e amanetit të dëshmorëve të lirisë”, tha Jashari.
Ai pati një mesazh edhe për ish-krerët e UCK-së në Hagë për të cilët tha se populli është gjithmonë krenar për ta dhe veprimtarinë e tyre. “Nuk ka forcë kombëtare dhe ndërkombëtare që mund ta kriminalizojë luftën e lavdishme tonën”, tha ai.
Telegram urimi ka dërguar edhe bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, e cila tha se “Vetëm duke çmuar të kaluarën ne nderojmë të tashmen dhe ndërtojmë të ardhmen”. Vëllai i Fahri Fazliut, Fadil Fazliu, tha se ndihen të nderuar që zbulimi i shtatores po ndodhë sot.
E bashkëveprimtari Tahir Gjonbalaj nga Plava e Gucia, tha për Fahri Fazliun dhe Afrim Zhitinë se “Kur të tjerët shikonin për ta ndërtuar jetën, ata ishin të zënë me detyrat atdhetare”.
Prezentë në këtë ceremoni ishin edhe shumë luftëtarë të UCK-së, bashkëveprimtarë të Fahri Fazliut. /Arbresh.info/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...