Tash e sa kohë në Kosovë shqetësuese mbetet migrimi i popullsisë.
Rreth 42 mijë kosovarë kanë lëshuar vendin gjatë vitit 2021, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), nuk ka dhënë detaje për numrin e qytetarëve që kanë lëshuar Kosovën për një jetë më të mirë jashtë vendit.
“Për vitin 2022 nuk kemi të dhëna”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të MPB-së.
Megjithatë, paga minimale nuk është arsyeja kryesore që qytetarët kosovarë po detyrohen të lëshojnë vendin për të kërkuar një jetë më të mirë në shtetet e huaja, kryesisht në ato evropiane, shkruan arbresh.info.
Kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë me më pak se dy euro në ditë dhe kjo tregon se varfëria në vend po rritet.
Ai thotë se qeverisë po i mungon një strategji për të dalë nga kriza ekonomike.
“Nuk është problemi te paga minimale, problemi është te paga standarde, sepse paga standarde janë në gjithë Ballkanin të ulëta dhe kjo bënë që secili i punësuar të mos jetë i kënaqur me pagën e vet. Prandaj nuk është paga minimale i vetmi problem, problemet janë më të thella por Qeveria e vendit nuk po mirët me këto probleme, flasin për rritje ekonomike, kurse 23 % e qytetarëve të Kosovës jetojnë me më pak se dy euro. Kjo tregon se varfëria në Kosovë po rritet, tregon që mirëqenia qytetare po rrezikohet, investimet e huaja po vijnë, e në anën tjetër vlen të theksohet se ekonomia e vendit u tkurr për tri here në krahasim me vitin 2021 dhe kjo është pasojë e një mungese të një strategjie për të dalë nga kriza”, tha Shahini.
Por, E.S nënë e dy fëmijëve thotë se burri i punonte, mirëpo jeta shumë e shtrenjtë e detyroi të dal e të punojë në Gjermani.
“Jeta shumë e shtrenjtë këtu, pagat e vogla. Burri punonte një muaj e rroga shpenzohej për një javë. Prandaj burrit i erdhi mundësia e tash është atje, po punon dhe së shpejti pritet të shkojmë edhe unë me fëmijët “, thotë ajo për arbresh.info.
Në anën tjetër sociologu Labinot Konushevci, numëron disa nga arsyet që po shtyjnë qytetarët e Kosovës të migrojnë.
Sipas tij, mungesa e sigurisë për të ardhmen dhe thyerja e iluzioneve, janë disa nga faktorët kyç që detyrojnë kosovarët të migrojnë në vende të huaja.
“Shkaku kryesor është pakënaqësia me kushtet e jetesës që ofron sistemi në Kosovë dhe mungesa e mirëqenies sociale, familjare, individuale. Rrjedhimisht mungesa e sigurisë për të ardhmen dhe thyerja e iluzioneve”, thotë Konushevci.
Ai shton se nuk janë vetëm këto arsyet e zbrazjes së Kosovës.
“Mungesa e perspektivës, mungesa e sigurimit shëndetësor, cilësia e dobët në arsim dhe shëndetësi, mos funksionimi i ligjit, kushtet e dobëta në punë, shkalla e lartë e kriminalitetit, vështirësitë në integrim, shkelja e të drejtave të njeriut, punëtorit në veçanti, janë disa nga shkaqet shtytëse, ndërsa ato tërheqëse janë mundësitë e integrimit që ofrojnë shtetet perëndimore me një standard të lartë që garanton mirëqenie dhe pavarësi – stabilitet ekonomik dhe social, pasi që paga në disproporcion me realitetin ekonomik dhe koston e jetesës mbetet vetëm një faktor, por jo i vetëm”, u shpreh Konushevci.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ditë më parë ka thënë se Qeveria Kurti po ndërmerr masa për të zbutur këtë problem, sipas tij, ikja e qytetarëve mund të ndalet me ngritjen e pagës minimale në 250 euro.
“Ne po synojmë edhe rritjen e pagës, për shkak se arsyeja kryesore që ikin janë pagat e vogla. Ikja e qytetarëve mund të ndalet me ngritjen e pagës minimale në 250 euro”, ka thënë deputeti Basha.
Kujtojmë se mbi 42 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë vitit të kaluar. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. /Vjollca Gajraku/arbresh.info/
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...