“Zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën”, BE drejt kushtëzimit të anëtarësimit të Serbisë

11:59 | 14 Janar 2024
E.H

BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën. Kushtëzimi i anëtarësimit ka për të pasur efekt në kalkulimet politike të presidentit Vuçiq, sipas analistëve politikë.

Në mesin e kushteve detyruese për Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pritet të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim.

“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Kërkesa për ndryshim të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së, pasi Serbia zyrtarisht përmes kryeministres së saj, Ana Brnabiq, tha se “vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet, për të cilat u pajtua me Kosovën”.

Kurti: Serbia nuk respekton marrëveshjen për normalizimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një mbledhje të qeverisë e akuzoi Serbinë se nuk po e respekton Marrëveshjen për normalizim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë, dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin”, tha Kurti.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 4 shtator të vitit të shkuar nga një grup serbësh të armatosur.

Kosova dhe Serbia vitin e shkuar arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj e njohur si marrëveshja e Ohrit.

Këtë BE-ja po do që ta bëjë “ligjërisht të detyrueshme”, ndonëse palët u pajtuan me marrëveshjen, por nuk vendosën firmat.

Në tetor të vitit të shkuar, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta njohë de facto Kosovën.

Vuçiq: Na kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës

Ditë më parë, këtë e rikujtoi vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

“De facto ose de jure, kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiq për mediet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, duke shtuar se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”, prandaj ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.

“Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.

Pas kësaj deklarate të Kurtit, i menjëhershëm ishte reagimi i Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili e akuzoi kryeministrin e Kosovës, për siç tha, “shkelje të marrëveshjeve në Bruksel”, veçmas atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Kurti as nuk mund të rishkruajë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel 11 vjet më parë, zbatimi i së cilës garantohet nga Bashkimi Evropian, as nuk mund të shkruajë apo të flasë asnjë fjalë pa sulmuar Beogradin dhe serbët në Kosovë, sepse, kjo është e vetmja gjë që ai di të bëjë”, tha Petkoviq.

Sipas tij, Albin Kurti është “burimi kryesor” i jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshim të qasjes perëndimore ndaj Serbisë, kërkoi edhe ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, menjëherë sapo u kthye nga një vizitë që zhvilloi me (04.01) në Kosovë.

Cameron tha se “duhet të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, ku një grup serbësh të armatosur vranë një polic të Kosovës. Autoritetet kosovare fajësuan Serbinë për përfshirje në sulm, por Beogradi e mohoi këtë.

“Jam i vetëdijshëm se sa e rrezikshme ishte, prandaj ishte një prej arsyeve që shkova në Kosovë”, tha Cameron. Ai tha se “është koha që të ndryshohet qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se Rusia po synon që ta destabilizojë këtë rajon”.

Por si e shohin analistët politik nismën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka kërkuar që marrëveshja e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të bëhet pjesë përbërëse e kapitullit 35 për Serbinë në negocitat për anëtaresim në BE.

Demush Shasha, nga Instituti Epik, tha se “patjetër se ky kushtëzim ndikon në kalkulimin politik të Presidentit Vuçiq, pasi si në kuptimin politik, por edhe në kuptimin ekonomik, është tejet e rëndësishme që Serbia të perceptohet si një vend, i cili ngelet në kursin e saj drejt anëtarësimit në BE”.

“Ky kushtëzim do varet edhe nga perceptimi i Vuçiqit për vullnetin e BE-së për pranimin e Serbisë në BE. Nëse ai vëren se BE-ja pa marr parasysh çfarë bën Serbia, nuk do hap dyert në një afat të shkurtër për anëtarësimin e Serbisë, atëherë, iniciativa e Vuçiqit për të bërë kompromise karshi dialogut do zbehet”, tha Shasha.

Kursi i Serbisë, zgjedhjet në SHBA e lufta në Ukrainë

Kursin e politikës së Vuçiqit, Shasha e ndërlidh edhe me vitin zgjedhor në SHBA, dhe dinamikën e luftës në Ukrainë.

Sipas tij, “pasojat e këtyre dy zhvillimeve do të ndjehen edhe në rajonin e Ballkanit”. Në një skenar ku Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve mund të zgjidhet Donald Trump dhe rrjedhimisht një skenar ku pozita e Rusisë forcohet në Ukrainë, atëherë, Vuçiqi patjetër se do të jetë në një pozitë shumë më të konsoliduar për të ri-negociuar pozitën e Serbisë dhe kushtëzimet respektive në kuadër të dialogut”.

Drejtori i Institutit Epik Demush Shasha, thotë se “kjo është edhe arsyeja përse Vuçiqi është duke bërë çdo gjë për të ruajtur status-quonë në kuadër të dialogut përmes episodeve si ‘më dhemb dora e djathtë’ për të nënshkruar marrëveshjet e dialogut, apo episodi i Banjskës. Të dy këto episode kanë qenë pjesë e së njëjtës strategji dhe të njëjtit qëllim: ngadalësimin e dialogut dhe blerjen e kohës duke ruajtur status-quonë me shpresën e ardhjes së rrethanave më të favorshme gjeopolitike për Serbinë”.

Prandaj sipas tij, kushtëzimi i Serbisë në kuadër kapitullit 35 do të ankoroj obligimet e dialogut për njohjen e elementeve të shtetësisë së Kosovës, ashtu siç tashmë kanë kërkuar edhe liderët më të fuqishëm evropian.

“Në kuadër të procesit formal të anëtarësimit të Serbisë në BE, shumë do të varet edhe nga vendosmëria e BE-së për të anëtarësuar vendet e rajonit në BE në një afat të parashikueshëm kohor”, shprehet Demush Shasha./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme