Google ADS

Zbatimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike varet nga miratimi i buxhetit për vitin 2021

08:20 | 9 Dhjetor 2020
M. A.

Në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në nenin 12 është paraparë që nga Buxheti i Republikës së Kosovës të paguhen punëtorët që kanë humbur punën për shkak të pandemisë Covid-19.

Edhe pse votimi i këtij ligji mori jehonë të madhe në publik, këto mjete nuk do të mund t’i tërheqin punëtorët, deri të votohet në Kuvend, Buxheti për vitin 2021, shkruan arbresh.info.

Janë mijëra punëtorë që pas marrjes së lajmit për votimin e këtij Ligji po presin që të aplikojnë për t’i marr ato paga që s’mundën t’i marrin për tre muaj që nga shkurti i këtij viti.

Ligji ka paraparë që të ndahen për 3 muaj nga 300 euro për muaj, por aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve nuk do të bëhet derisa të kalojë në Kuvend, buxheti për vitin 2021, thotë zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi.

“E para punë që duhet të bëhet është të aprovohet buxheti 2021. Duhet të rritet pjesa e buxhetit që është për ndarjen për rimëkëmbje ekonomike për sektorin privat dhe për qytetarë”, tha ai për portalin arbresh.info

Sipas Krasniqit, pasi të kalojë në Kuvend, buxheti për vitin 2021 do të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit.

“Pasi të aprovohet buxheti kanë me u përcaktu kriteret të qarta dhe mënyra e aplikimit. Pra ende nuk jemi në atë fazë”, tha ai.

Në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në nenin 12,  paragrafi 1 thuhet se: “Paguhen, nga ana e Buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor- dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19, janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020”.

Kujtojmë se këtë ide për t’i paguar punëtorët që kanë humbur punën e ka dhënë Partia Demokratike e Kosovës dhe e ka futur në Ligj në lexim të dytë në Kuvend i cili u votua me 72 vota ‘për’./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme