Google ADS

Zbardhja e vrasjes së Elvis Pistës, mision i pamundur për drejtësinë?

16:03 | 24 Maj 2017
L G

Vrasja e ish-kandidatit të PDK-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2014, Elvis Pisa ishte kryer në mënyrë aq profesionale, saqë edhe pas 3 vjetësh, organet e drejtësisë po ndjehen të pafuqishme në identifikimin dhe kapjen e vrasësit.

Ka mbetur më pak se një muaj nga data 15 qershor, kur bëhen 3 vjet nga vrasja e Pistës, dhe organet e drejtësisë nuk kanë arritur të kenë asnjë të dyshuar.

E vetmja përgjigje e tyre është që hetimet po vazhdojnë dhe se ky rast është shumë kompleks.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i cili është duke e hetuar këtë rast, Ali Uka, i ka thënë “Arbresh.info” se nuk ka asgjë e cila do të ndihmonte organet e hetuesisë të identifikojnë dorasin e Pistës.

Prokurori tregon se për këtë rast kanë shumë presion nga të gjitha anët.

“Është rast  kompleks. Kemi edhe qindra raste të tjera, nuk mund të merremi vetëm me një rast. E kuptoj seriozitetin e këtij rasti, jemi duke punuar me të madhe, hetimet po vazhdojnë. Është çështja shumë e ndjeshme, jemi nën presion. Për momentin nuk kemi asgjë të re në këtë rast”, është shprehur prokurori Uka.

Prokurori Uka, nuk hezitoi madje të shprehet pesimist se ky rast mund të mos zbardhet kurrë.

“Nashta nuk zbulohet kurrë”, tha prokurori, deri sa po tregonte se nuk ka asnjë informacion që ndihmon në  këtë rast.

Ai thotë se ditëve të ardhshme do të takohet me hetuesit e rastit për të kuptuar nëse ka ndonjë risi në këtë rast.

“Besoj ditëve në vijim do të kontaktoj me hetuesit në Prishtinë, do t’i thërras, do bisedojmë dhe do shohim ku është çështja”, thotë prokurori Uka.

Ndërkohë,  Prokuroria Themelore në Gjakovë ka intervistuar mbi 90 dëshmitarë, mirëpo as intervistimi i tyre dhe gjetja e ditarit të Pistës nuk ka ndihmuar në zbardhjen e rastit.

Ndryshe, Pista është vrarë në natën mes 14 dhe 15 qershorit të vitit 2014, derisa po dilte nga restorant “Jaha Petrol” në dalje të Rahovecit.  Ai ishte qëlluar me disa plumba pas shpine,  në praninë e bashkëshortes së tij dhe disa miqve që kishin dalë për të darkuar. /Arbresh.info/ Gita Lushi

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme