Google ADS

Ymeri sqarohet në lidhje me deklaratën për zgjedhjet në Gjermani, akuzon Haradinajn për manipulim

20:18 | 23 Shtator 2017
Arbresh.info

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një statusi në Facebook, ka sqaruar deklaratën e djeshme të partisë së tij në lidhje me zgjedhjet në Gjermani ku kërkohej nga bashkatdhetarët e atjeshëm që të mobilizohen “kundër të djathtës ekstreme”.

Ymeri thotë se deklaratën e mbrëmshme e ka përdorur sot kryeministri Ramush Haradinaj “për të aluduar, përmes një manipulimi, se paska patur lëvizje që e kanë përkrahur Millosheviqin, e që ka lëvizje që kanë hyrë në borxh në adresa të gabuara, e jo me ata që kanë rrugëtuar me Kosovën”.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e kreut të VV-së:

Sa më lartë që hipin në pushtet, aq më poshtë bien për nga vlerat e morali politikanë si Ramush Haradinaj, që ndjekin shembullin e modelit politik të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ulja ndodh para ngritjes në pushtet, dhe kjo ulje shkon më tej drejt tatëpjetës kur ata vinë në pushtet.

Lëvizja Vetëvendosje nxori mbrëmë një deklaratë para zgjedhjeve në Gjermani ku kritikon ksenofobinë dhe politikat diskriminuese të ekstremit të djathtë në Gjermani të përfaqësuar nga AFD, parti kjo që nuk ka asnjë lidhje me partinë CDU të drejtuar nga Angela Merkel, që Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si partnere në marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Ne i kemi bërë thirrje mërgatës shqiptare të angazhohet në zgjedhjet në Gjermani duke kryer detyrën e tyre si qytetarë, si dhe e kemi ftuar mërgatën të lexojë programet politike të partive që garojnë në këto zgjedhje, duke shpjeguar gjithashtu, që disa prej pikave tona programore përputhen me programin politik të Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), e cila i përket të njëjtit spektër politik si Lëvizja Vetëvendosje.

Ramush Haradinaj e ka përdorur sot deklaratën tonë për të aluduar, përmes një manipulimi, se paska patur lëvizje që e kanë përkrahur Millosheviqin, e që ka lëvizje që kanë hyrë në borxh në adresa të gabuara, e jo me ata që kanë rrugëtuar me Kosovën. Është e rëndësishme që këto sulme të ulëta Ramush Haradinaj t’i shpjegojë jo vetëm për publikun e gjerë shqiptar por edhe për partnerët tanë gjermanë. Për kë e ka fjalën Ramush Haradinaj? A e ka harruar Ramush Haradinaj se në periudhën 1998-2002, pra pikërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s, qeveria e Gjermanisë drejtohej nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) me në krye kancelarin Gerhard Shroeder? A po e quan Ramush Haradinaj SPD-në dhe kancelarin Shroeder përkrahës të Millosheviqit? Edhe në Britani kryeministër ishte Tony Blair, nga Partia Laburiste. Edhe ky subjekt socialdemokrat. Edhe ky na paska qenë përkrahës i Millosheviqit? Sipas Ramushit duket se po.

Është për keqardhje që një varfëri kaq pikëlluese intelektuale vjen pikërisht nga një kryeministër i cili të tjerëve iu propozon të bëjnë më shumë shkollë!

Lëvizja Vetëvendosje do të punojë nga afër me cilëndo qeveri që formohet në Gjermani pas këtyre zgjedhjeve duke respektuar vullnetin e popullit gjerman. Por ne nuk tërhiqemi nga kritika jonë ndaj retorikave ksenofobe të AFD-së dhe rrezikut që ato bartin për të gjithë BE-në, dhe ky qëndrim i yni përputhet edhe me qëndrimin e partisë CDU të Angela Merkelit dhe të SPD-së, të cilat kanë qenë në koalicion me njëra-tjetrën. Ndërkohë që ne jemi të qartë dhe koherent me qëndrimet tona mbi partnerët e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u bërë bashkë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në njërën anë, dhe me Listën “Srpska” dhe Vuçiqin në anën tjetër, në ambicien e tij të verbër për pushtet, po rrëshqet gjithmonë e më shpejtë në tatëpjetë.

Ndërkaq, kjo ishte deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuar dje:

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GJERMANI KANË NEVOJË PËR MOBILIZIM TË GJERË KUNDËR TË DJATHTËS EKSTREME

Ditën e diel në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje e ka ndjekur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore për shkak të rolit tejet të rëndësishëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe më tej në nivel ndërkombëtar, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane si dhe për rëndësinë që do të kenë këto zgjedhje për mërgatën shqiptare që jeton në Gjermani. Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë.

Përballë këtij rreziku, Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje. Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjejmë rastin ta ftojmë mërgatën shqiptare ta shfrytëzojë të drejtën e votës duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në datën 24 shtator 2017 në Gjermani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme