Google ADS

Ymeri: Ata që falnin territore, tash nisën themelimin e ushtrisë

12:39 | 18 Mars 2017
Arbresh.info

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se ushtria e Kosovës duhet të bëhet dhe se nuk duhet tërhequr nga nisma e presidentit Hashim Thaçi, ani pse e quan të mangët dhe për poenë politik.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Ymeri theksoi se nuk ka rrugë tjetër pos armatosjes së FSK-së, rritjes së numrit të pjesëtarëve e avancimin e trajnimeve për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Madje, kërkon me ngulmë mos tërheqjen nga kjo nismë, pasi sipas tij, një tërheqje e tillë do të dërgonte mesazhe tek armiqtë, këtë rast Serbisë, e cila do të shtoj presionin mbi Kosovën, por edhe mesazhe tek partnerët se shteti i Kosovës është joserioz.

“Aktualisht për shkak të rrethanave kushtetuese në të cilat është vendosur Kosova, nuk ka rrugë të shkurtër përveç zgjerimit të rolit të FSK-së, armatosjes së saj, rritjes së numrit të pjesëtarëve, avancimin e përgatitjes së tyre që do ta avanconte sado pak komponentin e mbrojtës së Kosovës. Kjo rrugë edhe pse e domosdoshme nuk është aspak e mjaftueshme dhe asnjë mënyrë nuk bënë të ndalemi në gjysmë, as nga kjo rrugë afatshkurtër, as nga ajo që themelon ushtrinë e Kosovës. Çfarëdo tërheqje tash nga rruga e themelimit të ushtrisë së Kosovës nënkupton dështim në shtetbërje. Ushtria pra, duhet bërë”, tha Ymeri.

Edhe pse e quan të pashmangshme rrugën e themelimit të ushtrisë, Ymeri thotë se nisma e Thaçit është për ta avancuar pozitën e tij, por jo edhe FSK-në.

“Ligji për FSK-në nuk krijon ushtrinë e Kosovës, nuk ia ndryshon asaj mandatin, nuk e transformon FSK-në, por ia ndryshon rolin, duke ia ndryshuar deri diku përgjegjësitë por edhe kapacitetet. Së këndejmi edhe pse hap në drejtim të duhur është i mangët në qëllim dhe veçanërisht në praktikë, ka shumë gjëra që duhen amendamentuar në këtë ligj, për ta përmirësuar edhe vet qëllimin minor të tij. Mënyra se si është aktualizuar dhe sjellë në Kuvend, ligji më shumë se për qëllimin e vet flet për qëllimin e Thaçit, sponsorizuesit të tij. Qëllimet e tij nuk janë të sinqerta, sjellja e ligjit në këtë kohë, e veçanërisht në këtë mënyrë nuk ka për qëllim të avancoj FSK-në, por pozicionin e Thaçit”, shtoi Ymeri.

Kreu i VV-së, e quan edhe ironike themelimin e ushtrisë, si i ka quajtur ai, nga ata që dje kanë shitur territor, e tash po dëshirojnë formimin e ushtrisë për të mbrojtur territorin.

“Është ironike që ata që dje cenon sovranitetin, falnin territore e lëviznin kufirin sot e kanë marrë përsipër ta nisin proces, e siç po e quajnë vet, themelimit të ushtrisë së Kosovës për ta mbrojtur kështu sovranitetin dhe kufirin. Kosova natyrisht se duhet të ketë ushtrinë e saj si garantuese të sovranitetin, integritetit territorial dhe mbrojtjes së kufijve të shtetit. Mohimi për themelimin e ushtrisë është mohim i së drejtës sonë sovrane për shtetndërtim dhe për me keq se kaq është pamundësim për organizim dhe mbrojtje e zhvillim”, tha Ymeri.

Ymeri nuk la pa komentuar edhe fushatën e tre liderëve Thaçi, Veseli e Mustafa, duke thënë se ata po punojnë vetëm për dukjen e tyre, madje, për këtë ai ka kërkuar mobilizim për t’i ndalur ata.

“Kadri Veseli tërë ditën bënë fushatë për ta pastruar fytyrën e tij e për ta bërë atë të pëlqyeshme e të pranueshme, është fushatë që është i fokusuar të forma, dukja pa fije përmbajtje dhe dije në të. Hashim Thaçi secilin veprim të tij e ka të orientuar drejt vet shpëtimit, kështu ai dëshiron të bëhet i nevojshëm për të qenë i pranueshëm dhe me çdo kusht karrigen në Bruksel, sepse vetëm aty ndihet i sigurt, i nevojshëm dhe aty po synon të bëhet i pranueshëm dhe për këtë është i gatshëm të lëshoj pe sa herë kërkohet dhe të kërcënoj sa herë që lëshimi pe nuk funksionon. Isa Mustafa krejt energjinë e ka të përqendruar tek zgjerimi i pushtetit, e zgjedhimi i hises së vet në të për ta shpëtuar vetën dhe LDK-në nga theqafja politike e elektorale”, theksoj ai.

Ai shtoi se Kosova nuk po qeverisët e as zhvillohet nga ky pushtet por vetëm po shfrytëzohet. Pas fjalës së Ymerit, Këshilli i Përgjithshëm i VV-së ka vazhduar pa praninë e mediave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme