Arkitektura e xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë e cila pritet të ndërtohet, ka hasur në mospajtime të shumta të ekspertëve të fushës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Polemikat në debatet publike rreth kësaj xhamie, të bëra gjatë kësaj jave, asnjëherë nuk kanë vënë në pyetje nevojën e ndërtimit të xhamisë, por planin urbanistik dhe arkitekturën e xhamisë.
Arkitektura e xhamisë, sipas arkitektit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Esat Ramadani është arkitekturë klasike osmane.
“Xhamia është arkitekturë klasike osmane, është modeli i kryeveprës së Mimar Sinanit, por që xhamia edhe pse është brenda një forme klasike, do të funksionojë si një objekt shumë modern”, ka thënë Ramadani në prezantimin e projektit që kishte bërë ditë më parë para asamblistëve të Komunës së Prishtinës.
Megjithatë, ekspertë të fushës konsiderojnë se gjatë procesit të përzgjedhjes së projektit të kësaj xhamie dhe përcaktimit të kushteve të ndërtimit, janë bërë gabime.
Valdet Osmani nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse procedurat për përzgjedhjen e projektit për xhaminë të ishin ndryshe, do të kishe pasur mundësi që të zgjidhej një projekt me arkitekturë tjetër dhe jo më këtë aktualen.
Sipas tij, kjo xhami do të duhet të kishte arkitekturë moderne dhe t’i përshtatet edhe kohës kur ai objekt ndërtohet.
“Po të ishte ndryshe e organizuar i gjithë ky proces, dhe Komuna e Prishtinës t’i përcaktonte kushte dhe kriteret se për çfarë objekti do të lëshohet leja, unë besoj që nëse do të përcaktoheshin këto kritere nga Komuna, do të kishte fituar një projekt më një xhami me arkitekturë moderne që do të përmbushte edhe kriterin financiare dhe do të ishte një objekt që edhe mund të mirëmbahet në të ardhmen më lehtë dhe me një kosto të përballueshme”, thekson Osmani.
Në mungesë të vendosjen së këtyre kritereve, shton Osmani, janë paraqitur edhe këto kundërthënie rreth projektit dhe projekti është zvarritur me vite.
Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, zvarritjet për projektin e ndërtimit të xhamisë qendrore në Prishtinë, i konsideron të paarsyeshme.
Ai thotë se duhet të gjendet një konsensus dhe të gjitha këto probleme të tejkalohen, pasi që sipas tij, projekti për ndërtimin e xhamisë është i nevojshëm dhe duhet të finalizohet.
“Sa i përket përmasave, llojit dhe vendit të xhamisë duhet të diskutohen. Unë mendoj që këto vite që kanë kaluar, janë vite të humbura të cilat nuk kanë nevojë të zvarriten, projekti duhet të bëhet konform planeve dhe ligjeve urbanistike. Është gabim i madh që çështja e xhamisë është zvarritur kaq shumë. Duhet të gjejmë një mundësi të përshtatshme, qoftë nga projekti, qoftë lokacioni dhe ajo xhami të fillojë të ndërtohet”, thekson Brahimaj.
Brahimaj kërkon nga autoritetet kompetente që projekti i xhamisë të marrë vlerësimin e ekspertëve të fushës dhe të fillojë ndërtimi.
Arkitektura e projekti të xhamisë është kundërshtuar edhe nga një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale.
Lokacioni ku pritet të ndërtohet xhamia, po ashtu nga asamblistët e Kuvendit komunal ishte konsideruar të jetë ndarë në vend të gabuar dhe hapësirë e pamjaftueshme për një objekt të tillë.
Por, për arkitektin Valdet Osmani, hapësira dhe vendi plotëson kushtet për projektin aktual të xhamisë.
“Objektet fetare në çdo vend të botës ndodhen në lokacione të ndryshme. Nëse xhamia do të kishte edhe infrastrukturë përcjellëse, si fakultete apo konvikte për studentët, atëherë do të duhej të ndërtohej diku në periferi, ku edhe mundësitë për hapësirë janë më të mëdha. Por, në rastin e xhamisë në Prishtinë ajo është vetëm qendrore dhe nuk do të ketë këto objekte përcjellëse, kështu që lokacioni dhe parcela plotëson kriteret dhe kushtet”, thekson Osmani.
Për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet ishin paraqitur 81 projekte.
Ndërtimi i xhamisë do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë euro.
Në kuadër të projektit, pranë xhamisë, parashihet edhe ndërtimi i oborrit, parkingje, salla për konferenca, bibliotekë, zyre administrative, dy dhoma gjumi, laboratorë si dhe dyqane./arbresh.info/
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit