Google ADS

Xhamia e re në Prishtinë zgjon shumë reagime

07:08 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

E përditshmja e njohur britanike “The Guardian”, i ka kushtuar një shkrim çështjes së ndërtimit të xhamisë së re në Prishtinë, që tash e disa vite nuk po fillon së ndërtuari, ndonëse gurthemeli është vënë më 2012.

Sipas të përditshmes angleze, kjo xhami shpalos ndikimin turk në Kosovë përmes ndërtimit të xhamive të financuara nga shteti, përcjell albinfo.ch.

“Xhamia është dhuratë nga Turqia për shtetin ballkanik me rreth 1.8 milionë banorë, që festoi 10 vjetorin e pavarësisë vitin që sapo lamë pas. Dekada ka qenë e tensionuar. Njëzet vjet nga përfundimi i luftës me fqinjin Serbinë që vrau mijëra e zhvendosi me qindra mijëra tjerë, Serbia ende e konsideron Kosovën territor të vetin. Disa nga udhëheqësit kryesorë myslimanë të Kosovës thonë se dhjetëra xhami që janë shkatërruar ende nuk janë rindërtuar”, thuhet në shkrim.

“Në Evropë nuk ka fshat që s’ka kishë, por këtu në Kosovë janë së paku 50 fshatra që s’kanë xhami”, thotë kryeimami i Kosovës, Naim Tërnava, nga zyra e tij afër Xhamisë së Mbretit.

Për festa islame, turma e adhuruesve në këtë xhami të epokës osmane, e ndërtuar më 1461, shpesh shpërndahet nëpër rrugë. Tërnava është i befasuar me debatin e nxehtë rreth xhamisë së re të Prishtinës, për të, është një nevojë praktike “për të adhuruar Zotin, dhe për asgjë tjetër”.

Kosova ende po përpiqet të bëjë një vend për vete në pjesën e rëndësishme të Evropës mes perspektivave të dobëta ekonomike. Shteti i ti ka nevojë për çdo mik që mund ta gjejë.

Në mesin e shoqëruesve të saj është Turqia, e cila ka bërë investime të mëdha në vend dhe ka qenë mbështetëse e fuqishme për njohjet e saja ndërkombëtare dhe për pranim eventual në NATO dhe BE. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një vizite në Kosovë më 2013 pati thënë: “Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi”.

Këto fjalë rezonojnë në një Turqi, politika e jashtme e së cilës është karakterizuar si “neo-otomane”. Kosova nuk luan rol të vogël në historinë imperiale të Turqisë: Beteja e Kosovës e vitit 1389 ishte dëshmitare e disfatës së Perandorisë mesjetare të Serbisë dhe fillimin e pushtimit osman në Evropën juglindore. Perandoria e sundoi Kosovën për rreth 500 vjet, e me vete e solli edhe islamin dhe shumë ndikime tjera kulturore.

Komuniteti islamik në qytet thotë se u desh kohë e gjatë për të përzgjedhur dizajnin fitues dhe për t’u siguruar se “do t’i përshtatej lokacionit”. Qeveria komunale e Prishtinës zvarritën aprovimin e xhamisë, por më në fund i dhanë lejen vitin që sapo lamë pas.

Kundërshtimi i shumë xhamive të reja nëpër Evropë është i rrënjosur nga frika nga islami, por në Kosovën ku në 20 persona 19 janë myslimanë, rezistenca ndaj xhamisë së re të Prishtinës nuk ka lidhje me këtë aspekt fare. Disa banorë lokalë nuk e durojnë atë që e shohin si simbol të ndikimit mbizotërues të Turqisë, ndërsa të tjerët dyshojnë në kthimin e besimit në hapësirë publike laike post-socialiste.

Prishtina nuk është i vetmi qytet në Kosovë ku kanë ndodhur ndërtime të xhamive për të rënë në sy të financuara nga Turqia. Në Mitrovicë, përleshjet në të 2000-at çuan në ndarjen e qytetit në dy pjesë, në jugun e shqiptarëve dhe myslimanëve dhe veriun e serbëve dhe të krishterëve ortodoksë. Rajoni më i vogël verior valëvit identitetin e tij serb, me një katedrale të re ortodokse dhe me një mural të fotografuar shpesh që proklamon se “Kosova është Serbi, Krimeja është Rusi”.

Pjesa më e madhe jugore e qytetit është e mbushur me flamuj shqiptarë dhe monumente të luftëtarëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës – si dhe me xhaminë më të madhe, e hapur më 2014 dhe e emërtuar në bazë të rajonit të Stambollit “Bayrampasha”, që edhe financoi ndërtimin e saj. Brendësia e saj ka karakteristika krejtësisht otomane.

Xhami si kjo s’ka pasur më parë në qytet – rreth 150 deri në 200 xhami u shkatërruan në Kosovë gjatë luftës së egër të ndarjes nga Jugosllavia, shumë prej të cilave të dizajnuara në mënyrë të thjeshtë e modeste. Për myslimanët e Mitrovicës, xhamia e Bajrampashës është simbol i shpëtimit, në mos ripajtimit.

Por në Prishtinë është një ndjenjë se Turqia ka përfituar nga mosinteresimi perëndimor për të zgjeruar ndikimin e saj që Ankaraja e trajton si pjesë të oborrit të saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme