Imami Naser Kosumi dhe prifti ortodoks Trajko Vllajkoviç, edhe pse i shërbejnë feve të ndryshme, janë vetëm disa metra larg njëri-tjetrit.
Ferizaj është një prej qyteteve të rralla në botë ku në të njëjtën hapësirë qëndrojnë së bashku xhamia dhe kisha ortodokse. Pas shumë dekadave të ndarjes tashmë ky imam dhe prift janë bashkuar për të zgjidhur problemet që ata kanë. Një mur i ndërtuar para disa vitesh për të dy është një shqetësim i madh. Ata duan që ky mur të shembet dhe xhamia e kisha të jenë edhe më afër. Imami Naser Kosumi tha se muri, i cili gjendet mes kishës dhe xhamisë, duhet të hiqet. “Si ky monument pak në botë ka. Për shembull ka xhami dhe kishën në një oborr. Nuk e di kur është ndërtuar, a është periudhë e gjatë, a është ndërtuar xhamia qysh më herët por meqenëse është ndërtuar në një oborr, për mendim timin kisha thënë që të jenë dy simbole pa ndërprerje, pa mur ndarës. Kështu kishë me qenë më mirë për opinion që mos të ketë pengesa”, ka thënë Kosumi, transmeton REL.
Vllajkoviç, i cili ka ardhur të shërbejë si prift në këtë kishë para tri vitesh ka filluar të ketë komunikim ditor me imamin. Ai tha se ka komunikim shumë të mirë me imamin e xhamisë. “Këto dy vende të lutjes janë krenare me njëra tjetrën dhe nuk ka rivalitet se cila është ndërtuar më parë, cila është më e madhe, cila është më e mirë, cila është më e bukur. Kjo gjë nuk qëndron para zotit. Para Zotit qëndron vetëm a je i mirë apo i keq, në fakt pak i mirë sepse nuk ekziston i keqi. Ai mur të cilin jeni duke e parë nuk është ndërtuar as nga unë e as nga Naseri”, tha prifti Vllajkoviç. Hoxha dhe prifti thonë se kalojnë mirë me të gjithë banorët e Ferizajt dhe se nuk ka pasur ndonjë koment të keq në lidhje me shoqërimin e tyre. “Kishte me qenë mirë jo vetëm unë më Trajkon, me priftin ortodoks pro të gjithë besimtarët të takohen njëri me tjetrin të gjithë besimtarët të shkëmbejnë mendime njëri me tjetrin, të jenë më afër njëri-tjetrit dhe që populli ta di që të gjitha besimet janë të njëjta dhe ne i besojmë të gjitha besimeve hyjnore”, u shpreh Kosumi.
Ndërsa Vllajkoviç theksoi se s’duhet të ekzistojë asnjë ndarje në mes kishës dhe xhamisë. “Ka njerëz të mirë dhe të këqij, kështu që ka njerëz të atillë që janë për tu lavdëruar por ka të atillë që mendojnë që ata duhet t’i ruajnë gjërat e tyre, e ne tonat e që sipas tyre nuk ekziston asnjë pikë e bashkimit tonë mes vete, që për të cilën unë mendoj që është absurd. Unë dhe Naseri, gjithashtu dhe kolegët e tij, ne i shërbejmë të njëjtit Zot. S’duhet të ekzistojë asnjë ndarje sidomos në Kishë. Pa të keq politika e ka bërë të veten, njerëzit janë lidhur më shumë me politikë dhe me udhëheqësit politik se sa me udhëheqësit fetarë siç jemi unë dhe Naseri”, tha ai. Prifti dhe imami bisedojnë për shumë gjëra. Sot temë për ta është dhe kampionati i futbollit që po mbahet në Rusi.
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...