Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka qenë një prej zërave kryesorë brenda Bashkimit Evropian që ka kundërshtuar një vendim për hapje të negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.
Një qëndrim të tillë Macron e ka arsyetuar me problemin që shteti i tij ka me azilkërkuesit nga Shqipëria, për të cilët ai thotë se po e shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për të udhëtuar drejt Francës dhe më pas për të kërkuar statusin e azilit atje. Dhe ndër të tjera në paraqitjen e tij publike rreth kësaj çështjeje ka thënë se hapja e negociatave vetëm për Maqedoninë e Veriut pa Shqipërinë do të ishte një gabim fatal.
Një qëndrim i tillë i Macron është konsideruar si një gabim nga të gjithë krerët e institucioneve të BE-së, të cilët i kishin premtuar Zaevit se pas zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë, do t’i hapnin rrugën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që nuk ndodhi edhe përkundër faktit se maqedonasit tashmë kanë një shtet me emër të ri, që quhet Maqedonia e Veriut.
Por a ndërlidhet vërtetë ky qëndrim i Francës më Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, apo vjen si pasojë e problemeve të brendshme të BE-së dhe përpjekjes së Macronit për një ‘revolucion’ dhe reformim të brendshëm të Unionit Evropian.
Lidhur me këtë çështje dhe efektin që mund të ketë një qasje e tillë e shteteve anëtare për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në një intervistë për Gazetën Express ka folur eksperti gjerman, Bodo Weber.
Weber thotë që deklarimet e Macronit për kinse probleme me shtetas shqiptarë që keqpërdorin liberalizimin e vizave për të kërkuar azil në Francë, janë vetëm një pretekste, pasi sipas tij në rast se një gjë e tillë do të ishte e vërtetë atëherë Parisi zyrtarë do ta potenconte vitin e kaluar, dhe jo pas dy shtyrjeve të dhënies së dritës jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Çështja e azilit është shumë lehtë e zgjidhshme, nëse do të ishte nevoja edhe të suspendohej liberalizimi i vizave. Përveç kësaj, të gjitha informatat në dispozicion tregojnë që Parisi kishte përgatitur një pozicion politik për Maconin që do t’iu jepte dritën e gjelbër në Bruksel edhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por në fund Macron vendosi që të bllokonte, një vendim të përbashkët pozitiv të Këshillit Evropian”, ka thënë Weber për Gazetën Express.
Tutje ai hedh edhe disa hipoteza të cilat mund ta kenë shtyrë Macronin që të marrë një vendim të tillë kundër hapjes së negociatave për dy shtetet.
“Mund të spekulohet vetëm në atë se çfarë e shtyu këtë vendim në fund, nëse ai (Macron) mbeti në pozicionin e tij origjinal për të mos pasur zgjerim para reformave të BE-së, apo nëse ishte një formë hakmarrje për dështimin e tij Goulard si komisioner në Komisionin Evropian”, shton tutje eksperti gjerman.
Megjithatë analisti dhe analisti i çështjeve politike që ndërlidhen me Ballkanin perëndimor, thotë se këto zhvillime tregojnë për një krizë të thellë të raporteve mes Gjermanisë dhe Francës, pasi që sipas Weber, Merkel nuk dëshiron që të shtyjë përpara iniciativën e Mcaronit për ristrukturim të brendshëm të BE-së, dhe Macron tashmë është kundër zgjerimit.
“Ajo që duket qartë në sfondin e gjithë kësaj është një krizë serioze në marrëdhëniet gjermano-frënge, ku Berlini, Merkel, nuk ka dëshirë të angazhohet në shtytjen e Macron për reformën strukturore të BE-së, ndërsa Parisi, Macron, është indiferent ndaj zgjerimit”, shprehet Weber.
Sipas tij, Berlini dhe Parisit duhet të veprojnë së bashku, për të mënjanuar një krizë shumë serioze, si brenda BE-së po ashtu edhe jashtë saj.
I pyetur rreth mos mbajtjes së premtimit nga BE-ja karshi Maqedonisë së Veriut edhe përkundër marrëveshjes me Greqinë për emrin, dhe rrezikut që Evropa të mos jetë në gjendje të garantojë as respektimin e një marrëveshje eventuale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Weber thotë se një gjë e tillë është pikërisht një prej arsyeve kryesore se pse dy kryeqendrat e Evropës, Parisi dhe Berlini duhet të kenë diskutime shumë më serioze rreth BE’së.
“Saktësisht, një arsye tjetër kruciale pse Berlini dhe Parisi duhet të kenë diskutime më serioze rreth Evropës dhe Bashkimit Evropian. Ajo të cilën Macron nuk po e kupton fatkeqësisht, është që nuk mundësh që në njërën anë të përfshihesh në përpjekjen për të pasur një marrëveshje Prishtinë-Beograd, dhe në anën tjetër të dërgosh ministrin tënd për Evropë në Beograd për t’i thënë Vuçiqit që do të ketë një ngrirje të zgjerimit, derisa BE-ja t’i zgjidh problemet e brendshme”, ka thënë Weber.
Sipas Weber nëse ekziston diçka që mund të shtyhet përpara, është që t’i bëhet presion Beogradit për të pranuar përfundimisht realitetin e humbjes së Kosovës, dhe për ta shtyrë që të shkojë drejt një politike që bazohet në realitet e që u shërben interesave të qytetarëve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës, pasi për një gjë të tillë i ofrohet anëtarësimi në Bashkim Evropian. Si shembull për këtë , ai përmend nënshkrimin e marrëveshjes së prillit 2013 mes dy shteteve.
Sipas tij politika e zgjerimit është e lidhur tepër ngushtë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas tij në rast se BE-ja do të ngurtësojë politikën e zgjerimit, atëherë një gjë e tillë mund të dërgojë në dështimin e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe në kthimin e idesë së rrezikshme për shkëmbim të territoreve.
“Pa zgjerim, negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përfundojnë si të dështuara dhe do të vazhdohet status-quoja, gjë që nënkupton destabilizim, ose edhe më keq, një marrëveshje të rrezikshme për shkëmbim të territoreve që mund të shtyjë Kosovë, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor drejtë një dinamike shkatërruese të spastrimit etnik. Për këtë arsye unë mbes me shpresë së mbledhja e fundit e Këshillit të Bashkimit Evropian nuk ishte vdekja përfundimtare e politikës së zgjerimit”, ka potencuar tutje Weber për Gazetën Express.
Sipas ekspertit gjerman, nëse për asgjë tjetër, kokëfortësia e Macronit ka nxitur më shumë mbështetje publike nga shtetet anëtare të BE-së për zgjerimin dhe perspektivën për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjithë këto dhjetë vitet e fundit të rezistencës për zgjerim.
Weber gjithashtu është përgjigjur edhe në pyetjen e Gazetës Express se a është kjo ngathësi e Evropës një sinjal që Kosova nuk duhet të ngutet për arritjen e një marrëveshje finale me Beogradin vetëm për shkak të deponimit aktual të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij të gjitha faktet në terren tregojnë që nuk do të ketë rinisje të dialogut përpara marsit të vitit 2020, gjë që sipas tij demanton atë që është thënë se Përfaqësuesi Special i Donald Trump dëshiron arritjen e një marrëveshje deri në shkurtin e vitit 2020.
“Nëse i referoheni datës së arritjes së një marrëveshje dhe presionit që ka bërë Përfaqësuesi Special, ambasadori Grenell, përgjatë vizitës së fundit në Prishtinë dhe Beograd për arritjen e një marrëveshje deri në shkurtin e vitit 2020, unë kam frikë që Grenell vetëm sa do të diskreditojë veten në rolin e tij të ri në një kohë rekorde me deklarata të tilla të paqëndrueshme. Së pari, politikanët kosovarë përgjatë një viti e gjysmë kanë mësuar që të identifikojnë lidhjen në mes të nxitimit dhe lobimit për propozimin e shkëmbimit të territoreve, së dyti, ende janë të hapura negociatat për krijimin e qeverisë në Kosovë, ndërkohë është shtyrë edhe nisja e punës së Komisionit të ri Evropian, dhe çështja e hapur e një Përfaqësuesi Special dhe arritjes së rinisjes së dialogut. Çdo akter në rajon, gjithashtu dhe politik bërësit e Perëndimit me një njohje bazike të çështjeve në fjalë e di se do të jetë shumë e vështirë që të ketë rinisje të negociatave të Brukselit dhe arritje të një marrëveshje përpara marsit 2020 kohë kjo kur mbahen zgjedhjet në Serbi”, ka potencuar Weber.
Por a duhet të presë Kosova dhe Serbia për një marrëveshje, derisa BE-ja t’i zgjidhë problemet e saj të brendshme dhe tendencat për reformim?- Weber thotë që absolutisht që jo.
“Sigurisht që jo, sepse fundi i procesit të negociatave varet nga Bashkimi Evropian, jo nga Prishtina dhe Beogradi. Jam shumë i sigurt që presidenti Vuçiq do të ndihej i lehtësuar nëse këto probleme të brendshëm të BE-së do të zgjasnin për një kohë edhe më të gjatë negociatat, marrë parasysh faktin që fokusi i tij dhe lobimi i tij i nisur që nga viti 2017 për të vizatuar harta ka hasur në një mur të fortë në fillim të këtij viti”, shprehet Weber.
Në fund të kësaj interviste për Gazetën Express, Weber ka folur edhe rreth asaj nëse Gjermania do të mbetet e vetme si fuqi në Evropë kundër idesë së korrigjimit të kufijve marrë parasysh mospajtimet aktuale me Francën e cila asnjëherë nuk ka shfaqur një qëndrim përfundimtar për kufijtë, dhe momentumit të krijuar me caktimin e Përfaqësuesit Special të Trumpit, Richard Grenell, për të cilin thuhet se do të provojë të shtyjë përpara idenë e korrigjimit të kufijve.
Weber thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodh, meqenëse një shumicë e madhe e shteteve të BE-së në një periudhë për më shumë se një vit, janë kundër idesë së rrezikshme të shkëmbimit të territoreve.
“Presidenti Makron më 20 Prill në Samitin e Berlinit e ka kuptuar përfundimisht se për çfarë bëhet fjalë, dhe ka folur kundër ‘zgjidhjeve’ etnike-territoriale. Dhe për afro një muaj ne do të kemi një Përfaqësues të Lartë, Borell, i cili është fuqishëm kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Edhe nëse Grenell seriozisht tenton të shtyjë përpara një ide për shkëmbim të territoreve, SHBA- vetëm, kundër gjithë BE-së, nuk do të jenë në gjendje që të realizojnë me sukës një ide të tillë të rrezikshme”, ka përfunduar Bodo Weber.
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...