Washingtoni “ngrinë” marrëdhëniet Kosovë-Serbi, edhe Brukseli aktualisht “ i pafuqishëm”

08:16 | 12 Shtator 2020
L G

Edhe një vit marrëveshjet e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë nuk do të implementohen, por ekziston skepticizëm sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi edhe në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Çështjet e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë do të jenë të ngrira për një vit dhe nuk do të ketë asnjë zhvillim në këtë aspekt, thotë politologu kosovarë Ramush Tahiri.

Në një prononcim për arbresh.info, Tahiri madje thotë se për një vit nuk pritet të ketë as ndonjë njohje nga shtetet e fuqishme.

“Na i kemi ngri marrëdhëniet për një vit me Serbinë me marrëveshjen e Washingtonit. Një vit ne kemi vetëm zbatimet e marrëveshjeve e komisioneve të përbashkëta, nuk ka njohje të Kosovës. Nuk shoh marrëveshje për njohje. Jam i bindur se Serbia do e njoh Kosovën, por këtë vit nuk ka njohje”, deklaron Tahiri.

Edhe analisti, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se ajo që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë ka “shtyrë” epilogun e synuar të palës kosovare dhe asaj serbe.

“Besoj që njohja do të ndodhë mirëpo, rezultati i marrëveshjes në Washington e largoi pak, mirëpo do të shihet në të ardhmen”, thotë Spahiu.

Analistët kanë komentuar edhe negociata e ndërmjetësuara nga Brukseli zyrtarë. Palët zhvillojnë takime që nga viti 2011.

Tahiri ka vlerësuar angazhimin e kryeministrit, Avdullah Hoti, në lidhje me vendosmërinë për të kërkuar njohje në takimet përballë palës serbe.

“Është mirë se Avdullah Hoti tha se do të shkojnë me parimin ose krejt ose hiç. Kur bëhen krejt marrëveshjet, fillojnë me u zbatu, e jo secila veç e veç. Edhe Presidenti dhe Kryeministri kanë nënshkruar një dokument të përbashkët, me të cilin thanë se krejt bisedimet kanë për qëllim arritjen e marrëveshjes përfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, vlerëson Tahiri.

Sipas analistit Spahiu, takimet e Brukselit duken jo më shumë se përpjekje për përafrim të qëndrimeve.

“Nga takimi i Brukselit, pritet vetëm me pas përafrim mes palës kosovare dhe asaj serbe, të cilat mund të jenë dykuptimëshe. Por, marrëveshja finale mund të bëhet vetëm në Washington, ndoshta do të ndodh në një takim të radhës. Por, roli i Brukselit në këtë rast është vetëm t’i përafrojë dy shtetet mes vete”, shprehet Spahiu për arbresh.info.

Më më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për ç’ njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Palët e nivelit të lartë të dialogut patën një takim edhe në Bruksel, por pa një përparim të dukshëm sa i përket marrëveshjes finale./arbresh.info/E.H/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme