Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar zhvillimet e fundit në Malin e Zi, ku opozita proserbe ka arritur një rezultat që mund t’i mundësojë formimin e Qeverisë së re.
Në një postim në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar se Federata Ruse është përcaktuar për serbët si satelit të saj në Ballkan, andaj kërkon që Kosova e Shqipëria të unifikojnë politikën e jashtme e të sigurisë, dhe jo të vrapojnë për Mini-Schengen ballkanik.
“Shqiptarët duhet të faktorizohen për ta balancuar Serbinë. Nuk mund të ecim në shekullin XXI me këto shtetet tona të dobëta që udhëhiqen nga politikanë karagjozë e të korruptuar. Ata nuk gëzojnë autoritet dhe besim te shqiptarët, andaj ishte e kotë, në mos kundër-produktive, thirrja e tyre e përsëritur për të votuar në Mal të Zi njërin koalicion shqiptar. Kosova e Shqipëria duhet ta bëjnë bashkimin ekonomik dhe ta unifikojnë politikën e jashtme e të sigurisë, dhe jo të vrapojnë pas Vuçiqit për Mini-Schengen Ballkanik apo për njohje me ‘Zajednicë’”, shkruan Vetëvendosje.
Postimi i plotë:
Hovi i hegjemonizmit serb
Me flamuj të Serbisë, me thirrje raciste antishqiptare, me parulla kundër Kosovës e për Rusinë, me liturgji politike të Amfilohije Radoviqit në funksion të shovinizmit, Mali i Zi ndodhet para ndryshimeve të mëdha si pasojë e zgjedhjeve të së dielës, fushata për të cilat ishte shumë më e gjatë sesa ajo zyrtare dhe shumë më e gjerë sesa vetëm në Mal të Zi.
Tri parti opozitare pritet të formojnë koalicionin e ri qeverisës me kabinet ekspertësh. Partia më e madhe aty “Fronti Demokratik” dhe ajo e dyta “Paqja është kombi ynë” janë pro-serbe. Kreu i “Frontit Demokratik” as vetë nuk e kishte pritur rezultatin e lartë prej 32,5%, duke konfirmuar kështu se kjo fitore nuk ishte njëmend e tyre, dhe se në fakt, janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Beogradi ato që u përfshinë në garë.
Në Ballkan tashmë ndodhet Kaliningradi rus, në Republikën Serbe të Bosnje Hercegovinës. Nuk kemi nevojë për Kaliningradë të rinj. Nëse arrijnë ta formojnë qeverinë këto tri parti, atëherë bashkëjetesa ndëretnike në Mal të Zi, edhe ashtu e brishtë, do të pamundësohet dhe shqiptarët duhet të mendojnë për orientime të reja.
Që nga zgjedhjet e fundit të mbajtura para dy muajve, 3/4 e Kuvendit të Serbisë është në duart e Vuçiqit. Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit atje janë nga e njëjta parti politike. Serbia nuk është shtet demokratik. Homogjenizimi nacional i elektoratit serb është fort i ngjashëm me atë nga fundi i viteve ’80. Ky homogjenizim me pushtet autoritar, frymë religjioze dhe përmbajtje ultra-konservatore po përkthehet në hegjemonizëm rajonal.
Federata Ruse është përcaktuar për serbët si satelit të saj në Ballkan, andaj situata politike ngjan më shumë si ajo në prag të Luftës së Parë Ballkanike sesa si ajo pas Paqes së Shën Stefanit. NATO-ja dhe BE-ja nuk bën t’i ngjajnë Perandorisë Osmane në dekadën e saj të fundit. Ato nuk guxojnë të mjaftohen me paqen dhe sigurinë në Maqedoninë e Veriut, duke e reduktuar aty krejt paqen dhe sigurinë rajonale.
Shqiptarët duhet të faktorizohen për ta balancuar Serbinë. Nuk mund të ecim në shekullin XXI me këto shtetet tona të dobëta që udhëhiqen nga politikanë karagjozë e të korruptuar. Ata nuk gëzojnë autoritet dhe besim te shqiptarët, andaj ishte e kotë, në mos kundër-produktive, thirrja e tyre e përsëritur për të votuar në Mal të Zi njërin koalicion shqiptar. Kosova e Shqipëria duhet ta bëjnë bashkimin ekonomik dhe ta unifikojnë politikën e jashtme e të sigurisë, dhe jo të vrapojnë pas Vuçiqit për Mini-Schengen Ballkanik apo për njohje me ‘Zajednicë’.
Në fillim të shekullit XX, Rusia cariste synonte një Aleancë Ballkanike kundër perandorive Austro-hungareze dhe Osmane. Këto dy perandori nuk ekzistojnë më. Shqiptarët atëbotë bënë më së shumti rezistencë dhe organizuan më së shumti kryengritje por ngelën me një shtet që nuk përthekonte as një të tretën e trojeve të cilat asokohe banoheshin prej kombit tonë. Një shekull më vonë, e në prag të dekadës së tretë të shekullit XXI, na nevojitet një Aleancë Ballkanike, por kësaj radhe përballë hegjemonizmit të Serbisë dhe imperializmit të Rusisë.
Ne shqiptarët jemi në qendër. Në njërin krah kemi kroatët e në tjetrin bullgarët. Bashkë me ta, por edhe me Sarajevën, Podgoricën dhe Shkupin zyrtar, mund e duhet ta krijojmë Aleancën 3+3, që të ruajmë paqen, të fitojmë Evropën e të forcojmë NATO-n, që të mos e harrojmë shekullin e kaluar e që të mos gabojmë në këtë shekull, pa inat ndaj të tjerëve e për hir të vetes tonë.
Qytetet evropiane që janë magjike për Krishtlindje
Sfida e “Supermenit” në TikTok, Komuna e Lipjanit iu bën thi...
Vdes një 80-vjeçar si pasojë e zjarrit në një banesë në Shko...
Pesë mënyra natyrale për të luftuar infeksionet e traktit ur...
Të lindurit nën këto tre shenja të zodiakut adhurohen nga të...
“100% ka me dalë nga shtëpia”, për cilin banorë e ka fjalën ...