VV, kallëzim penal ndaj një OJQ-je dhe listës së saj të vëzhguesve

21:46 | 10 Qershor 2017
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje(VV),  përmes një kumtese, ka bërë të ditur se ka përgatitur kallëzim penal për OJQ-në “Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike” listës së saj të vëzhguesve zgjedhorë, përcjellë arbresh.

Sipas kumtesës “Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike” si organizatë vëzhguese me një numër të madh dhe të pazakontë prej 4548 vëzhgues për një OJQ për zgjedhjet e 11 qershorit, vetëm sa i hap rrugë keqpërdorimeve dhe pengimit të votuesve në ditën e zgjedhjeve”.

“Roli i vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë në procesin zgjedhor është i rëndësishëm. Angazhimi i tyre përmes monitorimit të mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe denoncimi i shkeljeve e shpërdorimeve i kontribuon integritetit të zgjedhjeve. Megjithëkëtë, shfrytëzimi i Organizatave të ndryshme Joqeveritare jokredibile, të cilat nuk janë aktive, pa kapacitete e pa resurse, për të akredituar vëzhgues të partive të caktuara politike nën petkun dhe siglën e tyre, siç ka ndodhur me vendimin e dëmshëm të KQZ-së për të akredituar kinse OJQ-në “Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike” si organizatë vëzhguese me një numër të madh dhe të pazakontë prej 4548 vëzhgues për një OJQ për zgjedhjet e 11 qershorit, vetëm sa i hap rrugë keqpërdorimeve dhe pengimit të votuesve në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje më tutje thotë se, “‘Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike’ si një OJQ thuajse fantome, pa kurrfarë aktiviteti, pa ëebfaqe të organizatës ku do të mund të evidentoheshin aktivitetet dhe pa ndonjë publikim, si dhe e njëjta nuk ka pasur ndonjë interes në të kaluarën që të vëzhgojë proceset zgjedhore, që në këto zgjedhje po përfshihet me një numër tërësisht të pazakontë të vëzhguesve, e bën të qartë se mbrapa kësaj organizate dhe këtyre vëzhguesve qëndrojnë parti të caktuara politike nga koalicioni i territ”.

“Angazhimi për të vëzhguar zgjedhjet me një numër të tillë vëzhguesish, kërkon resurse si njerëzore , logjistike, ashtu dhe financiare. Duke qenë se prapa kësaj organizate nuk qëndron asnjë donatorë që zakonisht mbështet aktivitete të tilla, dëshmohet se bëhet fjalë për një manipulim me pretendime për të ndikuar kundërligjshëm në procesin zgjedhor”, thuhet më tej në komuniakatë.

Nisur nga këto dhe me qëllim që të garantohet paprekshmëria e procesit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka përgatitur kallëzim penal për këtë organizatë dhe listën e saj të vëzhguesve, duke kërkuar nga prokuroria që të hetojë këtë proces dhe përgjegjësit e këtij veprimi manipulues të nxjerrë para drejtësisë.

Të ngjashme