Google ADS

VV-ja me analizë për strategjinë e zgjerimit të BE-së

15:08 | 7 Shkurt 2018
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar Stategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor duke deklaruar se Kosovës nuk i është dhënë asnjë afat kohor në perspektivën e zgjerimit evropian.

Kjo është deklarata e plotë e VV-së:

“Strategjia e Komisionit Evropian e titulluar “Një perspektivë e besueshme zgjerimi për rritjen e angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëdimor” shërben për të kuptuar rrugën që po cakton BE-ja për integrimin evropian për secilin prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia është dokument i rëndësishëm pasi që perspektiva për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor e cila është trajtuar që në vitin 2000, dhe është përforcuar në vitin 2003 në Samitin e Selanikut po rikthehet sërish në vëmendjen e BE-së.

Lëvizja e ka analizuar me kujdes këtë strategji e cila ka një qasje më të përgjithshme për rajonin, pasi pritet që raporti vlerësues për secilin prej gjashtë shteteve të bëhet në prill të këtij viti. Duke qenë se qasja e kësaj strategjie është rajonale, ia vlen që të vlerësohet së pari nga ky këndvështrim, duke patur në mendje avancimin e interesave tona shtetërore dhe kombëtare.

Në shkurt të vitit 2011, në prag të fillimit të dialogut me Serbinë qeveria e Kosovës, për të arsyetuar këtë dialog të dëmshëm për vendin pati deklaruar se rruga drejt integrimit Evropian është përmes këtij dialogu. Tani pas shtatë viteve u kuptua se përmes dialogut pa kushte, përveç koncesioneve të dëmshme nuk pati hapa pozitivë për Kosovën drejt integrimit evropian.  Përmes dialogut  Kosova ia hapi rrugën Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa neve na u shtua fusnota e u hoq fjala Republikë, duke mos pasur kështu rrugë nëpër të cilën do të ecnim në cilësinë e shtetit.

Shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës e paraqesin nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si përparim në rrugën e integrimit. Por duhet thënë qartë që sado që është për t’u vlerësuar ajo marrëveshje, edhe vende që nuk gjenden në kontinent apo që nuk duan të hyjnë në BE kanë tashmë marrëveshje të tilla.

Te strategjia në të cilën përmendet normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë theksohet se ‘Kosova do të përfitoj nga një marrëveshje definitive për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’ por nuk thuhet se çka do të përfitojmë. Nuk përmendet mundësia e anëtarësimit madje as e mundësia për të aplikuar për statusin kandidat, edhe nëse arrihet marrëveshja. Por, në rastin e Serbisë si kusht për integrim përmendet tre herë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe atë në hapat konkret që duhet të ndjekë.

Sërish në asnjë rast nuk shpjegohet çfarë nënkupton fjala “normalizim” marrëdhëniesh me Serbinë, dhe kërkohet vazhdim i dialogut pa asnjë objektiv të shprehur qartë lidhur me njohjen e pavarësisë që Serbia duhet të bëjë ndaj Republikës së Kosovës. E, ndërkohë që ndaj Serbisë nuk vendoset ky kusht, ndaj Kosovës shtohet kushti i Gjykatës Speciale, një Gjykatë e paprecedentë në këto dy shekuj, që e kthen përmbys konceptin e drejtësisë. Kosova pra përmendet edhe dy herë të tjera por për obligimet që ka në raport me Dhomat e specializuara (Gjykata Speciale).

Lëvizja VETËVENDOSJE! vlerëson se kjo strategji në një aspekt flet për një bashkëpunim më të ngushtë dhe unifikim të shumë sektorëve mes gjashtë shteteve të Ballkanit. Por në aspektin tjetër, strategjia i vendos këto shtete në një konkurrencë të pabarabartë me njëri-tjetrin, e cila i mbyll sytë para problemeve që ka shkaktuar e vazhdon të shkaktojë Serbia në rajon. Në strategji flitet për avancimin e përbashkët të të gjithë rajonit në procese si ai i Berlinit, në një bashkëpunim të gjithë rajonit sa i përket energjisë dhe transportit, në funksionalizimin e një Zone Rajonale Ekonomike, në forcimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, në një bashkëpunim rajonal në çështjet e migracionit,  sigurisë, luftës kundër terrorizmit, etj. Të gjitha këto janë elemente që në pamje të parë të bëjnë të mendosh se Komisioni Evropian ka për synim integrimin në bllok të të gjashtë shteteve në BE.  Por, duke lexuar strategjinë dhe duke ndjekur deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, bëhet e qartë për të gjithë se gjashtë shtetet e rajonit janë ndarë në 4 kategori.

Në kategorinë e parë BE-ja ka vendosur Serbinë dhe Malin e Zi, dhe për këto dy shtete Komisioni tregon se është i gatshëm të nisë të hapë dyert për anëtarësim të plotë që në vitin 2025.

Në kategorinë e dytë Komisioni ka vendosur Republikën e Shqipërisë dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Për këto dy shtete nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por mund të ketë rekomandim këtë vit për të qenë shtete kandidate.

Në kategorinë e tretë, stratgjia ka vendosur Bosnje Hercegovinën, për të cilën jo vetëm nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por nuk i është dhënë as datë orientuese për të qenë shtet kandidat.

Në kategorinë e katërt dhe të fundit, BE-ja ka vendosur Kosovën, duke përdorur fusnotën që vazhdon ta trajtojë me ambiguitet shpalljen e pavarësisë tonë. Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë do të jetë e mundshme pa tejkaluar pengesat që Komisioni i quan pa të drejtë si “objektive”.

Pra në dy kategoritë e fundit që ka krijuar kjo strategji e Komisionit, janë vendosur dy shtetet që kanë pësuar e vazhdojnë të pësojnë padrejtësitë më të mëdha në rajon nga Serbia, përmes pengesave të Serbisë që nuk janë aspak objektive, por që janë plan konkret politik dhe ekonomik destabilizues i Serbisë për shtetet e rajonit. Sakaq, gjithnjë sipas kësaj strategjie, duket se Komisioni vlerëson se ky shtet destabilizues, Serbia, i prin integrimit Evropian në Ballkan.

Kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është një sinjal shumë i qartë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ne duhet të ideojmë dhe strukturojmë një politikë të brendshme e rajonale, të Kosovës e të Shqipërisë, për të vendosur peshën që kemi dhe për të realizuar qëllimet ku duam të jemi, në Ballkanin Perëndimor e drejt BE-së.

Lëvizja ka theksuar dhe më herët se duhet sa më parë të fillojë dialogu me të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, që do të jetë edhe dialog me serbët e Kosovës, dialog i hapur, demokratik dhe shoqëror, prej poshtë-lart, për zhvillim. Dialogu 2011-2017 me Serbinë ishte dialog i mbyllur e diplomatik, prej lart-poshtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Përmes këtij dialogu të gjithë do të shihen si qytetarë të Republikës, në profesionet që i kanë e shtresat shoqërore që u përkasin. Kështu ndërtohet besimi dhe largohet frika e cila është mbjellë për të ndarë e përçarë. Pakicat kombëtare duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, shumica e problemeve në Republikën tonë janë ekonomike e sociale. Drejt BE-së përparojmë duke ndërtuar vlerat në shtetin tonë. Konsolidimi i brendshëm është edhe i duhur edhe i domosdoshëm. Qeveritarët e Kosovës duhet të pushojnë së kërkuari udhën drejt Brukselit nëpërmjet Vuçiqit e Beogradit.

Shtetndërtimi demokratik, zhvillimi ekonomik për punësim, drejtësia ligjore dhe sociale e përbëjnë Republikën dhe e bëjnë atë evropiane.

Është e vërtetë që strategjia e BE-së njeh më në fund zyrtarisht kapjen e shtetit që ka ndodhur në rajon e veçanërisht në Kosovë. Duke treguar kështu për atë që e kemi quajtur regjim autoritar të instaluar në Kosovë. Më tej strategjia prek edhe kapjen e sistemit të drejtësisë dhe të mediave, si dhe krimin e organizuar e korrupsionin, dhe dobësimin e interesave publike përmes kapjes nga interesat private, që janë krijuar sigurisht përmes lidhjes së pushtetit politik më atë ekonomik oligarkik.

Ndërsa sa i përket ekonomisë, mund të thuhet se kjo strategji e sheh rajonin në përgjithësi, e shqiptarët dhe Kosovën në veçanti, më shumë si treg konsumi prej 18 milionë konsumatorësh, sesa si ekonomi prodhuese. Bilanci negativ tregtar i rajonit me BE-në bëhet ekstrem tek rasti i Kosovës, aty raporti bëhet 12 (importe) me 1 (eksporte). Njëbilanc kaq negativ tregtar jo vetëm që e shkatërron potencialin e ekonomisë prodhuese vendase, por edhe e thellon atë nëse nuk parashihen masa mbrojtëse për prodhimin vendas të Kosovës, duke rritur kështu edhe më tëj papunësinë tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Për më shumë, nënteksti i kësaj strategjie në lidhje me vazhdimin e proceseve të privatizimit, nuk merr aspak parasysh nevojën për hetimin dhe marrjen e masave ndaj privatizimeve abuzive që tashmë kanë ndodhur në Kosovë e në gjithë rajonin. Por, në sektorë të tjerë, ia vlen të përmendet se rritja e asistencës financiare që nënkupton kjo strategji për shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen sociale, duhet konsideruar me optimizëm dhe duhet vlerësuar në bazë të zbërthimit të kësaj asistence për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit sipas nevojave prioritare të secilit shtet.

Për fund, ia vlen gjithashtu të përmendet se propozimi për përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në komitetet teknike dhe grupet e punës së Komisionit Evropian është një hap pozitiv për gjithë rajonin”.

Të ngjashme