Vulini e fyeu Osmanin, reagon Stafi i Presidencës

22:12 | 6 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka fyer sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar pas një interviste të presidentes Osmani dhënë gazetës gjermane, ‘Der Spiegel’, e cila duke folur për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në vitin 1999, tha se pret që Serbia të gjunjëzohet.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vulin deklaroi se derisa Aleksandar Vuçiq e udhëheq Serbinë, ajo nuk do të gjunjëzohet, ashtu siç do të dëshironte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vulin e ka fyer presidenten duke thënë se “nëse Osmani do të kishte fytyrë, siç e ka stomakun, për gënjeshtrat që thotë, ajo do të gjunjëzohej për një kohë të gjatë para ‘shtëpisë së verdhë’ dhe serbëve të vrarë për trafik organesh…”, ka deklaruar Vulin.

Kjo fyerje e Vulin, erdhi pasi gazetari i ‘Der Spiegel’ kishte insistuar duke pyetur Osmanin se pse e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.

“E kam zgjedhur nocionin gjenocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ishte përgjigjja e Osmanit

Ndaj kësaj deklarate të Vulinit, ka reaguar Blerim Vela, shefi i Stafit të Presidentes, i cili Vulinin e ka quajtur “këlysh të gruas së Millosheviqit”.

“Këlyshi i Mira Markoviqit gjatë viteve 1990 në JUL, Aleksandar Vulin është zëdhënësi i regjimit primitiv, të dhunshëm dhe seksist në Serbi. Vulin i shërben zotërisë së tij aktual, Aleksandar Vuçiq me të njëjtën forcë dhe përkushtim ashtu si i shërbeu Millosheviqit. E neveritshme!”, ka shkruar Vela në Twitter.

Të ngjashme