Vulin: Pacolli do të trajtohej si Gjuriç

13:47 | 22 Korrik 2018
Arbresh.info

“Çdo përpjekje e Behgjet Pacollit për të ardhur në Novi Pazar do të ishte e paligjshme dhe dihet se si veprohet me ata që kalojnë ilegalisht territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin.

Vulin e nënvizoi me forcë se Beogradi zyrtar ia ka refuzuar lejen e vizitës kryediplomatit të Kosovës, duke i bërë kështu jehonë komenteve të mëparshme të Ivica Daçiçit. Pacollit, ftesa i mbërriti nga Sulejman Ugljanin, kryetari i Këshillit Nacional të Boshnjakëve, i cili shprehu keqardhje të thellë për vendimin e ekzekutivit serb, ndërsa falenderoi nga ana tjetër Pacollin për gadishmërinë e treguar që të vizitonte Novi Pazarin.

Daçiçi ndërkohë e pa këtë si një lëvizje të drejtuar kundër Serbisë: “Do të tregohesha keqdashës nëse do të thosha se po të vinte Pacolli këtu, do t’i rezervohej e njëjta pritje me atë të Marko Gjuriçit në Kosovë, por kjo nuk ka për të ndodhur sepse Serbia është shtet i civilizuar”.

Sa për ftesën në vetveve, ai e cilësoi një “provokim”, qëllimi i të cilit është ta bëjë Beogradin që të reagojë ashpër.

Ndërkohë, disa ditë më parë, avioni privat i shefit të diplomacisë kosovare gati sa nuk përfundoi në Serbi. Raportet në mediat vendase tregojnë se mbi këtë çështje ka nisur tashmë një hetim. Ato citojnë Pacollin të pohonte se e ka dëgjuar pilotin duke folur me Beogradin dhe i ka kërkuar në moment që të kthehet prapa.

Ai vetë thotë se duhet të ketë qenë një gabim dhe shpjegoi se për të justifikuar kthimin e avionit, i është dashur të gënjejë sikur njëri nga pasagjerët ishte sëmurë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme