Në përvjetorin e 21-të të vrasjes së vëllezërve Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, familjarë të tyre thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka “prova dhe aftësi” për të zgjidhur rastin e tyre, porse “i mungon vullneti”.
Tre vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.
“Presidenti Aleksandar Vuçiq i ka premtuar Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe familjes sonë se do t’i zgjidhë rastet për më shumë se gjashtë vjet. Në mënyrë private, ai ka hequr dorë nga emri i Goran Radosavleviqit. Vllastimir Gjorgjeviq është gjithashtu përgjegjës”, thuhet në deklaratën e vëllezërve të viktimave, Fatos dhe Ilir Bytyqi.
“Vuajtja e familjes sonë nuk është e vetmja vuajtje që ai [Vuçiq] injoron. Presidenti Vuçiq mbron dhe madhëron shumë kriminelë të tjerë të luftës. Bota, përfshirë administratën [e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald] Trump, e di se kjo është e vërtetë. Ata thjesht qëndrojnë të ngrirë përpara këtyre fakteve”, thuhet në deklaratë.
Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.
Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.
Një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, u referohet fakteve për përfshirje në vrasje edhe të ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, dhe të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri.
Radosavleviq aktualisht është anëtar i partisë në pushtet të Serbisë, ndërsa Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit të tij në transferimin e trupave të shqiptarëve, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Në këtë përvjetor tragjik të së kaluarës dhe të së tashmes së familjes sonë, Shtetet e Bashkuara dhe bota duhet të kujtojnë se vrasjet e pazgjidhura të Yllit, Agronit dhe Mehmetit janë thjesht simbolikë e faktit se Serbia nuk ka bërë kurrë përpjekje të pranojë të kaluarën e saj. Derisa të ndodhë, ne nuk mund të pajtohemi me të ardhmen tonë”, thuhet në deklaratën e vëllezërve Bytyqi.
Aty po ashtu shfaqet shpresa se akuzat për krime lufte, të paraqitura nga Zyra e Prokurorit Special kundër udhëheqësve të Kosovës: presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, “nuk do të ndalin procesin e pajtimit”.
Në deklaratë thuhet se nuk duhet harruar fakti se Qeveria e [Sllobodan] Millosheviqit [ish-udhëheqësit serb] “ishte një regjim kriminel, përgjegjës për mizoritë më të këqija në Evropë që nga Holokausti”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës që Thaçi dhe Veseli kanë udhëhequr, ka punuar me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për të ndaluar mizori edhe më të mëdha”.
“Njerëzit e dy vendeve meritojnë një të ardhme më të mirë. Si fqinj, ne duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku për këtë qëllim”, thuhet po ashtu në deklaratë./REL
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...