Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të vizitojë Kosovën të shtunën dhe të dielën. Vizita e presidentit serb ka të bëjë me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe do të jetë ne pjesën veriore ku thuhet se do të takohet me serbët që jetojnë në atë pjesë. Një gjë e tillë u bë e ditur nga raportimi i mediave serbe pasi që për këtë kishte bërë të ditur kabineti i presidentit serb.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli ka thënë se i është dhënë leja presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që ta vizitoj Kosovën.
“Sipas kërkesës, që është parashtruar nga Presidenti i Serbisë ndaj Institucioneve të Republikës së Kosovës për vizitë në Kosovë, ne i kemi dhënë leje për këtë vizitë dhe presim që ai të sillet mirë dhe të respektojë rregullat e lejes gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Zyberaj në facebook.
Ndryshe kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për media një ditë më parë tha se serbët e veriut janë të qetë dhe jetojnë në siguri të plotë.
“Serbët e veriut janë të qetë, nuk ka rrezikim të stabilitetit edhe me tutje. çdo vizitë me komuniku me komunitetin serb që ka qëllime të mira nuk kemi qenë asnjëherë kundër por nuk ka pse me u shqetësu askush për gjendjen e sigurisë për qytetarët serbë, sepse institucionet janë në nivel të detyrës duke shtuar këtu faktin se kemi edhe KFOR-in”, tha Haradinaj.
Haradinaj në këtë konferencë tha se serbët e veriut, garanci për sigurinë e tyre i kanë institucionet e Kosovës.
“Në të kaluarën ka pasur vizita të serbëve mund të ketë edhe në të ardhmen por serbët e veriut garanci për sigurinë e tyre i kanë institucionet e vendit”, pati thënë Haradinaj.
Kryetari i Komisionit për Kosovën në parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun, kishte thënë për mediat serbe se vizita e paralajmëruar e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë është “shumë e rrezikshme për të, por e domosdoshme”.
“Presidenti do të jetë me popullin serb, do të tregojë se shteti i Serbisë qëndron prapa popullit serb në Kosovë, t’i garantojë atyre sigurinë që Serbia mund ta ofrojë,për të qetësuar tensionet që janë rritur”, tha Drecun.
Vizitën e Presidentit Serb e ka komentuar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq në një prononcim për mediat serbe u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë e Serbi që të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar.
“Presidenti Vuçiq për fundjavë do të jetë bashkë me popullin e tij në Kosovë. Kërkoj nga serbët që mos të lejojnë që t’i ndaj politika”, kishte deklaruar Gjuriq./V.Berisha/Arbresh.info
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale